E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSBE dhe BE mbështesin Shqipërinë në procesin dhe sfidën e decentralizimit

31-10-2012 / Gazeta 55

Zhvillohet në Tiranë konferenca ndërkombëtare mbi “Rolin e Decentralizimit dhe Konsolidimit të Demokracisë në Shqipëri”. Flamur Noka: “Decentralizimi, element kyç në konsolidimin e demokracisë shqiptare”

OSBE-ja dhe Bashkimi Europian do të vijojë të mbështesë Shqipërinë në procesin dhe sfidën e decentralizimit të pushtetit vendor dhe konsolidimin e demokracisë.
Garancitë janë dhënë nga kreu i OSBE-së në Tiranë, Eugen Wolfarth dhe përfaqësuesi i Bashkimit Europian Liugi Brusa, në konferencën e zhvilluar në Tiranë, e cila mbahet dhe në kuadrin e Presidencës në Këshillin e Europës.
Në ditën e konferencës ndërkombëtare mbi “Rolin e Decentralizimit dhe Konsolidimit të Demokracisë në Shqipëri”, i ngarkuari me punë i delegacionit të Bashkimit Europian Luigi Brusa tha se duhet të gjehet konsensus mes palëve për miratimin e ligjit mbi statusin e punonjësit civil. “Ka pasur probleme të cilat shprehen në progres raport si reforma administratës publike por edhe përqëndrimi i pushtetit lokal në kampe politike të ndara. Besoj se tre ligjet e mbetura pezull për të marre statusin e vendit kandidat si drafti për statusin e punonjësit civil është çelësi për një administatë të mirë publike dhe qeverisje vendore”, tha Luigi Brusa.
Brusa u shpreh se Bashkimi Europian e mbështet këtë proces me 100 milionë euro nga taksapaguesit europianë, ndërsa kërkoi angazhimin maksimal për plotësimin e rekomandimeve në progres-raportin për 3 pikat ku flitet për pushtetin lokal.
Për Brusën, ekzistenca e dy shoqatave të përfaqësuesve të pushtetit lokal, nuk i shërben unitetit të tyre, dhe shton dallesat politike.
Në të njëjtën linjë ishte dhe ambasadori i OSBE-së në Tiranë Eugen Wolfarth  i cili kërkoi bashkëpunimin mes dy kampeve politike për një autonomi të lartë vendore.
“Një nivel i përparuar i autonomisë vendore mund të ndihmojë vendin në arritjen e standardeve të nevojshme në të mirë dhe në shërbim të qytetarëve të tij. Kjo i kërkon autoriteteve vendore të pajisura me organe vendimmarrëse të krijuara në mënyrë demokratike. E mira është që këto organe të zotërojnë dhe një nivel të lartë autonomie, sa u përket zgjedhjeve në fushat e tyre të përgjegjësisë, megjithatë mbetet një punë e konsiderueshme për tu bërë si në nivel qendror ashtu dhe vendor në mënyrë që të gjithë angazhimet të mund të konkretizohen dhe të kthehen në vepra. Që të ndodhë kjo  nevojitet një vullnet i mirë politik mes gjithë aktorëve për të çuar përpara reformat e nevojshme duke përfshirë parashikimin e fondeve të mjaftueshme në këtë proces”, tha Wolfarth.
Wolfarth u shpreh se është arritur shumë në këtë proces, ndërsa nevojitet vullnet politik për të zbatuar të gjitha nismat e ndërmarra. Konferenca do të vijojë punimet në panel në nivel të lartë edhe gjatë ditës së martë. Ajo paraqitet me rëndësi të veçantë në përmbushjen me sukses të programit të përbashkët të aktiviteteve, në bashkëpunim me Këshillin e Europës dhe, kryesisht, me Kongresin Europian të Autoriteteve Vendore e Rajonale.

Ministri i Brendshëm Flamur Noka
I pranishëm në konferencë ishte dhe Ministri i Brendshëm Noka, i cili kërkoi bashkëpunimin e të gjithë aktorëve politikë në përmbushjen e reformave, që do të bëjnë të mundur marrjen e statusit kandidat. Sipas Nokës, statusi është një aspiratë ndërsa integrimi bëhet më i plotë  kur ka kontributin themelor dhe bashkëpunimin e të gjithë aktorëve politikë në vend.
Ministri i Brendshëm Flamur Noka, vlerësoi përvojën e kësaj konference në sfidën e qeverisë dhe dikasterit që ai drejton drejt një decentralizimi të plotë dhe rritjes së përfaqësisë së të zgjedhurve lokalë.
Duke përmendur arritjet në kuadrin e Presidencës se vendit tonë, Ministri Noka vuri në dukje kontributin e dhënë lidhur me promovimin e të drejtave të njeriut në nivel lokal dhe rritjen e ndërgjegjësimit të të zgjedhurve vendorë, pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrjen në nivel lokal e rajonal si edhe konsolidimin e procesit të rajonalizimit, si një instrument efikas që  afron me politikat komunitare të BE.
Gjithashtu ministri Noka theksoi se Qeveria Berisha, duke e konsideruar decentralizimin si një proces përafrues me shoqëritë e konsoliduara demokratike e ka vendosur atë si një prioritet, i cili  konsiston në rritjen dhe konsolidimin e ritmeve të procesit të decentralizimit, kthimin e Decentralizimit në një proces real dhe të prekshëm nga të gjithë. Konferenca dyditore Ndërkombëtare për Decentralizimin dhe Integrimin Evropian mbahet në kuadër të Javës Evropiane të Decentralizimit të Pushtetit Vendor dhe zhvillohet në Shqipëri në kuadër të presidencës së vendit tonë në Komitetin e Ministrave të KiE.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›