E Hënë, 2 Nëntor 2026

OSBE dhe KE do të paraqesin monitoruesit në prag të votimeve

09/05/2005  Raportet deçizive për integrimin në BE

Këtë muaj, pritet të mbërrijnë në Shqipëri grupi i parë i vëzhguesve prej OSBE-ODIHR-it. Burimet kanë bërë të ditur se, ky grup do të qëndrojë në një afat të gjatë, ndërsa pritet që me afrimin e zgjedhjeve, të mbërrijnë dhe monitoruesit e tjerë. Numri do të arrijë maksimumin një ditë para zgjedhjeve, ku do të paraqiten të gjithë vëzhguesit e zgjedhësve të akredituar prej OSBE-së. Projekt monitorimi në Shqipëri, do të paraqesë dhe Këshilli i Evropës, i cili duket se do të dërgojë në Shqipëri 40 përfaqësues të tij. Burimet kanë bërë të ditur se nga KE do të akreditoheshin vetëm 30 vëzhgues, por pas interesimit të përfaqësuesve të opozitës, këtij grupi i janë shtuar dhe 10 përfaqësues. Si Këshilli i Evropës ashtu dhe OSBE, kanë parashikuar që pas zgjedhjeve parlamentare të 3 korrikut, të paraqesin një raport mbi vendin tonë. Rezultatet që do të paraqiten në të, do të jenë deçizive, në hapat që Shqipëria do të hedhë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Tashmë krerët e organizatave ndërkombëtare, kanë kërcënuar politikanët me masa drastike, në rast se zgjedhjet nuk do të jenë konform standarteve të kërkuara. Paralajmërimi më i ashpër ka ardhur nga Asambleja e Këshillit të Evropës, ku është theksuar se në rast të zgjedhjeve të manipuluara, do të veprohet me përjashtimin nga kjo strukturë e BE-së. Gjithashtu dhe ndërprerja e financimeve prej projektit KARDS, duket se është një prej presioneve të ndërmarra prej ndërkombëtarëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›