OSBE ndihmon fëmijët me aftësi të kufizuara
Misioni i OSBE-së në Kosovë në bashkëpunim me Qendrën e Kosovës për Siguri Publike Edukim dhe Zhvillim OJQ-në Organizata e Prindërve të Fëmijëve me Aftësi të Kufizuara këtë fundjavë, në Vushtrri, do t’i organizojnë “Mini Lojërat Olimpike” për fëmijët me aftësi të kufizuara.
“Mini Lojërat Olimpike” mbahen me qëllim të promovimit të integrimit të fëmijëve me aftësi të kufizuara, vetëdijesimit publik për aftësitë e tyre dhe rritjen e besimit dhe bashkëpunimit mes tyre dhe ofruesve të sigurisë publike. Fëmijët me aftësi të kufizuara janë një nga grupet me gjendjen më të pafavorshme në Kosovë dhe përfshirja e tyre sociale kërkon mbështetje më të fortë nga të gjitha institucionet relevante, përfshirë këtu edhe Policinë e Kosovës dhe agjencitë tjera publike për siguri. Rreth 50 fëmijë, prindërit e tyre dhe të rinj nga komunitetet e ndryshme lokale do të marrin pjesë në “Mini Lojërat Olimpike” që do të zgjasin dy ditë dhe që do të përfshijnë gara me karroca, pikado e hendboll, si dhe gara në shah.
“Mini Lojërat Olimpike”, të mbështetura nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, për herë të parë janë organizuar në vitin 2005 dhe mbahen çdo vit.