E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prapë me të vjetra

Kërkesa e Qeverisë për lejimin e importimit të veturave të vjetra më në fund ka marrë dritën jeshile në Komisionin për Buxhet e Financa. Veturat nuk duhet të jenë më të vjetra se 13 vjet. Nga to, Qeveria e Kosovës synon të inkasojë deri 20 milion euro Nga Ismail Gashi më 16 qershor 2011 në ora 11:03

Tregu i Kosovës do të stërmbushet përsëri me vetura të vjetra. Qeveria e Kosovës me këtë vendim synon të inkasojë të ardhura të drejtpërdrejta në buxhet dhe pritjet nga taksa e veturave shkojnë deri në 20 milion euro.

Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e djeshme ka shqyrtuar disa kërkesa, raporte vjetore dhe projektligje me raporte të komisioneve funksionale. Ministri i Financave, Bedri Hamza prezantoi kërkesën e Ministrisë së Financave për konsultim me Komisionin për buxhet dhe financa, lidhur me normat e propozuara nga Ministria për vënien e tatimit të akcizës në veturat e importuara. Duke e paraqitur kërkesën, ministri Hamza e arsyetoi atë në katër aspekte: social, buxhetor, të sigurisë dhe ambiental. Pas diskutimeve nga ana e deputetëve, kërkesa mori përkrahjen e komisionit.

Ministria ka marrë pëlqimin që të vendosë akciza të ndryshme për veturat. Sa më e vjetër vetura, akciza më e lartë. Për veturat me kilometrazh 00, nuk do të ketë akcizë fare. Veturat 2000 kubikë deri në 8 vjet të vjetra, do të kenë akcizë prej 500 euro, ato 9 vjet, 700 euro, 10 vjet 800 euro, 11 vjet 900 euro, 12 vjet 1000 euro, 13 vjet 1100 euro. Veturat mbi 2000 kubikë do të kenë akcizë më të lartë. P.sh vetura 13 vjet mbi 2000 kubikë do të ketë akcizë 1500 euro.

Me ndryshimin e kësaj akcize, Qeveria mëton të inkasojë rreth 20 milionë euro, që janë shumë domethënëse për buxhetin e varfër të këtij viti.

Këtë vendim e ka kundërshtuar fuqishëm edhe Partia e të Gjelbërve në Kosovë.
Kryetari i saj, Daut Maloku tha për ‘Express’ se me këtë vendim po shkelen të gjitha të standardet ndërkombëtare dhe do të rrezikohet edhe më shumë shëndeti i qytetarëve.
Maloku është shprehur se si parti e të gjelbërve janë kundër këtij vendimi, dhe ditëve të ardhshme do të dalin me prononcim edhe zyrtarisht.

“Edhe ashtu, Kosova ka probleme shumë të mëdha me ambientin. Ky vendim do ta rëndojë gjendjen edhe më shumë, sepse tashmë dihet se veturat e vjetra e rëndojnë shumëfish më shumë gjendjen e ambientit sesa ato të rejat”. Sipas tij, ky vendim është një ‘non sens’ për faktin se gjithandej Evropës ka kohë që kanë filluar t’i heqin nga përdorimi, “ndërsa këtu po ndodh e kundërta”, thotë ai. “Do të ketë pasoja të rënda jo vetëm për ambientin, por edhe për shëndetin publik. Kjo nuk arsyetohet në asnjë mënyrë me rritjen e të hyrave, apo dëshirën për të pasur një veturë më të mirë. Duhet investuar në preventivë, e jo për të stimuluar sëmundje të ndryshme duke ndotur ambientin. Nuk është e rastit që në Kosovë ka çdo ditë e më shumë raste të sëmundjes me kancer. Kjo për mendimin tim është një antistandard dhe antivlerë ky vendim i aprovuar”.

Ndërkaq, eksperti i ekonomisë, Xhevat Meha mendon se më këtë vendim, Qeveria është nën presionin për mbushjen e buxhetit.

”Me këtë, Qeveria pret të rritë të hyrat e drejtpërdrejta në buxhet”. “Kjo është një "quick fix", ose një vendim me qëllime afatshkurtra, por me rezultate të drejtpërdrejta”. Sipas ekspertit Meha, në periudhën afatgjate ka pak efekte në rritjen buxhetore, sepse kërkesa për vetura në Kosovë do të jetë afërsisht e njëjtë.

“Në një periudhë disamujore, do të ketë rritje të kërkesave për vetura më të vjetra dhe pas disa muajsh tregu do të ngopet. Në plan më afatgjatë, sigurisht se rritja e kërkesave për vetura më të vjetra do të ndikojë në zvogëlimin e kërkesave për vetura më të reja”, ka thënë ai.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›