E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ratifikohet themelimi i Këshillit Bashkëpunues Doganor

Nga Express më 16 qershor 2011 në ora 12:21

Kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, i është dashur disa herë, që të thërras deputetët që të hyjnë në sallë për të pasur numrin e nevojshëm për ratifikim të konventës për themelimin e Këshillit Bashkëpunues Doganor, e cila kërkon 2/3 e deputetëve.

Zilja e zhurmshme në Kuvend ka arritur t’i mbledh 93 deputetë në seancë prej 120 sa janë gjithsej. Të gjithë këta kanë votuar pro ratifikimit të kësaj marrëveshje.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka folur për rëndësinë e ratifikimit të kësaj konvente, duke thënë se kjo do t’i ndihmojë anëtarësimit të Kosovës në Organizatën Botërore të Doganave me seli në Bruksel.

“Kjo ka rëndësi në veçanti duke pasur parasysh thjeshtëzimin e procedurave doganore, përmirësimin e aktiviteteve me organizatat tjera doganore, kundër piraterisë, promovimin e integritetit etj”, ka thënë Hamza.

Ai ka kërkuar aprovimin e Kuvendit, duke thënë se kjo do t’ia mundësojë Doganave të Kosovës që të afrohen sa më shpejt me Organizatën Botërore të Doganave.

Të gjitha grupet parlamentare pa përjashtim i kanë dhënë mbështetje ratifikimit të konventës për themelimin e Këshillit Bashkëpunues Doganor.

Ndërkohë, Kuvendi ka nisur shqyrtimin e parë të Projektligjit për personat e zhdukur, ndërsa në rend dite janë edhe dy projektligje në lexim të parë: Projektligjit për ndihmën shtetërore dhe Projektligji për nisma legjislative, si dhe një projektligj në lexim të dytë, atë për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për akreditim. (KP)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›