E Diel, 1 Nëntor 2026

OSBE nuk do të vëzhgojë zgjedhjet komunale të Kosovës

27/07/2009  Përgjigja vjen pas kërkesës së bërë nga opozita

PRISHTINE- Zgjedhjet komunale të 15 nëntorit nuk do të vëzhgohen dhe monitorohen nga ana e OSBE-së, për shkak se kjo organizatë ka qëndrim neutral ndaj statutit të Kosovës. Ky qëndrim i OSBE-së është bërë e ditur pak javë pasi opozita në Kosovë i ka bërë kërkesë publike kësaj organizate për bashkëpunim në Evropë që jo vetëm të monitorojë, por edhe të marrë rol ekzekutiv në zgjedhjet e ardhshme komunale. Zyrtarë të misionit të kësaj organizate në Kosovë thonë se kjo organizatë nuk do të ketë vëzhgues, as monitorues në Kosovë për zgjedhjet e 15 nëntorit. “OSBE-ja nuk mund t’i vëzhgojë e as t’i monitorojë zgjedhjet, ngase mandati i saj është ngritja e kapaciteteve të institucioneve”, - thotë Edita Buçaj, zëdhënëse e këtij misioni. Nuk dihet nëse do të veprojë në të njëjtën mënyrë edhe Këshilli i Evropës. Kjo organizatë çdoherë ka dërguar misione disamujore vëzhgimi në Kosovë, por për zgjedhjet e ardhshme komunale është duke heshtur. Edhe Këshilli i Evropës, ashtu si dhe OSBE-ja, nuk ka ndonjë qëndrim sa i përket statusit të Kosovës, prandaj ka marrë pozicion “neutral”. Gjatë viteve të administrimit të Kosovës nga ana e OKB-së ka qenë shefi i UNMIK-ut ai që është përkujdesur që t’i shkruajë Këshillit të Evropës kërkesën për dërgim në Kosovë të një misioni vëzhguesish. Për OSBE-në nuk ka pasur nevojë, sepse ajo vetë ka qenë në rolin e organizatores së zgjedhjeve të Kosovës, si kompetente për ndërtimin e institucioneve të Kosovës. Më 15 nëntor të këtij viti në 33 njësi komunale të Kosovës do të zhvillohen zgjedhje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›