E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti i Republikës vlerëson rolin e FMN-së

24/07/2009  Takimi Topi-Uestin

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti sot në një takim përfaqësuesen e Fondit Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë, An-Margret Uestin, e cila largohet nga vendi ynë me përfundimin e misionit të FMN-së. Në këtë takim kryetari i shtetit vlerësoi kontributin dhe mbështetjen e vazhdueshme që Fondi Ndërkombëtar Monetar ka dhënë për Shqipërinë gjatë gjithë periudhës së tranzicionit për një zhvillim të qëndrueshëm financiar dhe ekonomik nëpërmjet monitorimit, ekspertizës, asistencës teknike, dhënies së këshillave mbi politikat e ndjekura dhe reformat e ndërmarra nga shteti shqiptar. Presidenti Topi i shprehu përfaqësueses së FMN-së konsideratën e tij të lartë për angazhimin dhe punën me përkushtim e profesionalizëm në përmbushjen e detyrës së saj në krye të misionit të FMN-së në vendin tonë dhe i uroi suksese në përgjegjësitë e reja që e presin. Ndërsa vetë Uestin shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e dhënë nga shteti shqiptar dhe për bashkëpunimin e frytshëm mes FMN-së dhe autoriteteve shqiptare në përmbushjen e qëllimeve dhe objektivave të tyre të përbashkëta. Ajo vuri në dukje gjithashtu përshtypjet e saj më të mira për Shqipërinë dhe shqiptarët, si një komb vital, me vlera dhe me tradita të rralla, vlerësoi mikpritjen e jashtëzakonshme, si dhe theksoi potencialet e mëdha të vendit tonë për t’u rritur e zhvilluar ekonomikisht, duke pasur parasysh burimet e mëdha natyrore dhe njerëzore. Para dy ditëve Uestin, me rastin e largimit nga vendi ynë, u prit edhe nga Kryeministri Sali Berisha. Shqipëria pas mbylljes së bashkëpunimit shumëvjeçar me Fondin Monetar Ndërkombëtar po kalon në një fazë tjetër bashkëpunimi me ketë institucion, duke u bazuar në Artikullin 4.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›