OSBE, pakt për zgjedhjet serbe, Prishtina dakord

Hashim Thaçi
Thaçi-Rasmusen: Të vendosur për evitimin e incidenteve në Veri.
OSBE-ja ka konfirmuar arritjen e marrëveshjes për rolin lehtësues të misionit në organizimin e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë në Kosovë.
Kryesuesi i saj, Imon Gilmor, tha: Mirëpres marrëveshjen që është arritur sot sa i përket rolit lehtësues të misionit të OSBE-së në Kosovë për (organizimin) e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë. Zgjedhjet lokale, presidenciale dhe parlamentare të Serbisë, mbahen më 6 maj. Autoritetet kosovare kanë lënë të kuptohet se, duke marrë për bazë parimin e dyshtetësisë, serbët e Kosovës mund të votojnë në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, por jo edhe për ato lokale, të cilat politikanët serbë të Veriut këmbëngulin që ti mbajnë. Qeveria e Kosovës e mirëpriti vendimin e OSBE-së për lehtësimin e votimit për qytetarët serbë me shtetësi të dyfishtë. Gjatë kësaj dite do të hapen qendra të lëvizshme votimi, do të ketë vetëm simbole të OSBE-së, ndërsa numërimi do të bëhet jashtë territorit të Kosovës. Kryeministri kosovar, Hashim Thaçi, ka biseduar në telefon me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fog Rasmusen. Ata kanë rënë dakord se duhet vendosmëri dhe angazhim për të shmangur incidentet ndëretnike në veri të Kosovës. Rasmusen ka shprehur mbështetjen e NATO-s në angazhimet e qeverisë së Kosovës për vendosjen e sundimit të rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës, veçanërisht në pjesën veriore të vendit. Ndërkohë rritja e pranisë së KFOR-it në veri të Kosovës ka ndikuar në qetësimin e situatës. Gjatë takimit, ku merrnin pjesë përfaqësues të pushtetit lokal dhe organeve të sigurisë në Mitrovicë, nënkryetari i komunës, Riza Haziri, ka deklaruar se rritja e pranisë së KFOR-it ka ndikuar pozitivisht tek banorët.
Bllokohen posterat me Sheshel
Policia kosovare ka sekuestruar dje një numër të madh posterash me portretin e ultranacionalistit serb, Vojisllav Sheshel, në Graçanicë, në zyrën e kryetarit të Partisë Radikale për rajonin e Prishtinës. Posterat po shpërndaheshin për qëllime elektorale për Partinë Radikale Serbe. Bashkë me to janë konfiskuar edhe sasi të mëdha fletushkash që përmbanin reklama elektorale.
Fyle
Komisioneri i Zgjerimit, Stefan Fyle, tha dje në Bruksel se zgjedhjet serbe nuk duhen mbajtur në territorin e Kosovës. Por, ai shtoi se për ata në Kosovë që kanë të drejtë të votojnë në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të Serbisë, duhet të gjenden mundësitë që tu jepet rasti të votojnë në këto zgjedhje. Në konferencën e Brukselit mbi bashkëpunimin rajonal në Ballkan, shumica e folësve kanë shprehur keqardhje se marrëveshja e arritur Kosovë-Serbi është interpretuar në mënyra të ndryshme dhe nuk po zbatohet.