E Diel, 1 Nëntor 2026

OSBE trajnon 162 oficerë të policisë shqiptare

Autori i Lajmit: Majlinda PashollariPrezenca e OSBE-së në Shqipëri përfundoi dje trajnimin e 162 oficerëve të nivelit të mesëm nga 12 drejtori policish lidhur me teknikat e intervistimit dhe hetimit. “Trajnimi i këtyre oficerëve të policisë lidhur me praktikat aktuale të intervistimit dhe hetimit do të ndihmojë në sigurimin e një informacioni më të mirë, gjë që shpresojmë të çojë në rritjen e ndjekjeve penale të atyre që kryejnë krime”, - tha Jack Bell, shefi i Departamentit për Bashkëpunim në Çështjet e Sigurisë në Prezencën e OSBE-së.
Programi
Programi i trajnimit u zhvillua në bashkëpunim me Akademinë e Policisë së Policisë së Shtetit të Shqipërisë, Misionin e Asistencës Policore të Komunitetit Evropian për Shqipërinë (PAMECA) dhe Programin Ndërkombëtar të Asistencës në Trajnim për Hetime Penale (ICITAP). Ky program u përqendrua në trajnimin e oficerëve të policisë së nivelit të mesëm, që merren aktualisht me intervista në drejtoritë e policisë. Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Qeveria e Shteteve të Bashkuara siguruan burime financiare për këtë program, i cili përmbante kurse trajnimi katërditore dhe u zhvillua gjatë dy muajve të fundit në të gjithë vendin.

Ky lajm është publikuar: 23/10/2007

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›