Rusmali: Lirimi i të burgosurve përgjegjës prokurorët
Autori i Lajmit: Majlinda PashollariDisa muaj pasi shkarkoi të gjithë ekspertët mjekoligjorë dhe çoi për ndjekje penale një pjesë të mirë të tyre, që nëpërmjet falsifikimit, mundësuan lirimin nga burgu të disa trafikantëve të drogës dhe vrasësve, Ministria e Drejtësisë ka drejtuar gishtin e akuzës ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve të këtyre çështjeve. Nëpërmjet një raporti voluminoz, Ministria e Drejtësisë analizon në detaje 50 raste, ku sipas saj, 22 prej tyre janë flagrante në shkeljen e ligjit prej prokurorëve dhe gjyqtarëve, në qytetet, Tiranë, Durrës, Kavajë e Lezhë, duke mundësuar lirimin nga burgu të të dënuarve për vepra të rënda penale, si: vjedhje, përdhunim, trafik droge e vrasje me paramendim. Në raportin e Ministrisë së Drejtësisë, pas verifikimeve të kryera, rezulton se asnjë prej këtyre të dënuarve nuk është në ndonjë institucion shëndetësor, por ndodhet jashtë shtetit ose në bizneset e tyre, duke u bërë sipas raportit një tregues i qartë i abuzimit të lirimit të tyre dhe paligjshmërisë së vendimeve të lirimit. Ministria e Drejtësisë bën përgjegjës prokurorët e gjyqtarët, sepse kanë mbivlerësuar aktet e ekspertizës ligjore duke mos zbatuar nenet përkatëse të Kodit të Procedurës Penale për vefifikimin dhe ballafaqimin e provave, që është në themel të punës së prokurorit dhe gjyqtarit, përkatësisht për hetimin dhe marrjen e vendimit gjatë një çështjeje. Në raport thuhet se asnjë nga prokurorët nuk ka kërkuar marrjen e ndonjë prove të re, apo të ketë kundërshtuar konkluzionet e aktit të ekspertizës, çka e çon Ministrinë e Drejtësisë në konkluzionin se këta prokurorë dhe gjyqtarë kanë ndjekur praktika korruptive dhe se shumë prej proceseve gjyqësore janë manipuluar, duke pranuar lirimin e të dënuarve nga burgu. Publikimi i këtij raporti kërkon ngritjen e një komisioni hetimor, për prokurorin e Përgjithshëm, i cili bëhet përgjegjës nga mazhoranca për mosveprim ndaj kallëzimeve për vepra penale nga Ministria e Drejtësisë, ndaj të paktën një gjyqtari dhe dy prokurorëve për rastet kur janë liruar nga burgu janë verifikuar më pas edhe me shëndet të plotë dhe i kanë lejuar ata jo vetëm të ushtrojnë të qetë bizneset e tyre, por edhe të martohen.
Ky lajm është publikuar: 23/10/2007