E Diel, 1 Nëntor 2026

Qiraja për 110 mijë banesat sociale 3-6 mijë lekë në muaj

Autori i Lajmit: Silvana BalliuMiratohet nga komisioni i Ekonomisë dhe Financave projektligji i Këshillit të Ministrave në bashkëpunim me Bankën për Zhvillim, të Këshillit të Europës, për projektin “Ndërtimi i banesave, me qëllim social”.
Komisioni i Ekonomisë ka rënë dakord, që banesat që do të ndërtohen do të administrohen nga bashkitë. Ato do t iu jepen me një qira që varion nga 3000-6000 lekë në muaj, dhe me një afat prej 10 vjetësh, familjeve në nevojë.
Përzgjedhja e bashkive
Drejtorja e Politikave të Strehimit, pranë Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Doris Andoni, u shpreh se, përzgjedhja e bashkive është bërë në bazë të një procesi të gjatë dhe kriteri kryesor, ka qënë të adresojmë ato bashki të cilat kanë një treg të lartë banesash. Sipas saj, projekti do të zbatohet në bashkitë Tiranë, Durrës, Korçë, Fier, Elbasan, Shkodër, Kavajë, Berat dhe Peshkopi. Sipas marrëveshjes, Këshilli i Ministrave do të marrë nga Banka për Zhvillim e Këshillit të Europës një hua në shumën e 15 milionë eurove për ndërtimin e banesave sociale dhe një grant në shumën e 180 mijë eurove për dhënien e asistencës teknike pushtetit qëndror në drejtim të subvensionimit të kërkesës për strehim, si dhe pushtetit vendor për menaxhimin e projektit për hartimin e një manuali për administrimin e mirëmbajtjen e banesave. Huaja do të merret për një periudhë prej 20 vjetësh nga data e disbursimit. Vlera totale e projektit pa TVSH, është 25 milionë euro, nga e cila 60% është hua dhe 40% përbëhet nga kostoja lokale e pushtetit vendor, si vlera e truallit, e vlerësuar me çmimet e tregut, kostoja për hartimin e projekteve, kostoja për infrastrukturën, pagesat e lejeve, etj. Projekti do të nisë nga zbatimi vitin e ardhshëm.
Deklarata e Spahos
Kryetari i Komisionit, Edmond Spaho, e vlerësoi projektin për ndërtimin e banesave për kategoritë në nevojë si mjaft pozitive. Sipas Spahos, marrëveshja parashikon financimin e projektit për ndërtimin e banesave sociale dhe do të aplikohet në bashkitë ku është përqëndruar numri më i madh i popullsisë. Tipat e ndërtesave mund të variojnë nga njëri vend në tjetrin, por reflektojnë tipin standard që përdoret në gjithë Shqipërinë në 15 vitet e fundit për të siguruar ekonominë e shkallës

Strehimi
Në këto banesa do të strehohen me qira sociale rreth 1 100 familje ose rreth 4 500 persona. Pas përfundimit, pronësia e njësive të reja të strehimit u transferohet bashkive

Huaja
Huaja 15 milionë euro përbën 60 % të kostove të financueshme të projektit që nënkupton koston totale, pasi të jetë zbritur TVSH-ja. Projekti, pa TVSH, vlerësohet në masën 25 milionë euro

Ky lajm është publikuar: 23/10/2007

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›