E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSSH, 10 milionë euro kredi për të larë borxhet



Debitorët detyrojnë OSSH-në të marrë kredi

Dollapi: Borxhet e institucioneve, rreth 13 milionë euro

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes së energjisë do të detyrohet të marrë kredi për të shlyer detyrimet që ka ndaj palëve të tjera. Situata e vështirë financiare që po përjeton kjo shoqëri, për shkak të borxhit që asaj i kanë institucionet shtetërore, po e detyron t’u drejtohet bankave të nivelit të dytë për t’u kredituar. Drejtori i OSSH-së, Sahit Dollapi, ka pohuar dje për median se do t’u drejtohen bankave për të financuar shoqërinë që ai drejton. "Është e vështirë situata dhe ne jemi duke kryer operacione për marrjen e një kredie për të shlyer detyrimet që ne kemi", - u shpreh Dollapi. Ai tha se vlera që do të marrin kredi shkon rreth 10 milionë euro. Sipas tij, kjo situatë ka ardhur për shkak të mospagesës së energjisë nga ndërmarrjet shtetërore, e kryesisht ujësjellësve, të cilët kanë një borxh të akumuluar prej 13 milionë eurosh. OSSH-ja është e vendosur të furnizojë me energji pa ndërprerje të gjithë ata konsumatorë që paguajnë energjinë në mënyrë të rregullt, ndërsa do të ndërpresë furnizimin tek konsumatorët debitorë.

Madje shpesh debitorëve u janë lënë afate fikse për të paguar faturat e prapambetura pa kamatëvonesë. Kështu, për pagesën e faturave të prapambetura për vitin 2008 kohë më parë u la si afat për të shlyer detyrimet data 20 shtator. Një pjesë e mirë e qytetarëve i shlyen detyrimet në këtë kohë pa paguar kamatëvonesë. Por problem tepër shqetësues për OSSH-në mbetet borxhi që i kanë asaj institucionet shtetërore dhe në mënyrë të veçantë, ujësjellësit. Dollapi ka nënvizuar se ecuria e kompanisë drejt realizimit të objektivave është pozitive, por mbetet ende shumë punë për të bërë, veçanërisht për arkëtimet nga familjarët dhe privatët. Nga ana tjetër, ai deklaruar se nuk do të tolerohet asnjë konsumator, i cili nuk paguan energjinë elektrike dhe asnjë punonjës i çfarëdo niveli që favorizon abuzimet. OSSH-ja është privatizuar nga kompania ceke CEZ. Operatori i Sistemit të Shpërndarjes është shoqëria që furnizon me energji më shumë se 1 milion konsumatorë shqiptarë. Nga viti në vit është bërë e mundur rritja e numrit të konsumatorëve që kanë lidhur kontratë me KESH-in dhe janë futur në skemën e rrjetit që furnizohen nga OSSH-ja, çka do të thotë se numri i familjeve që janë “jashtë” rrjetit është zvogëluar. Në vitin 2006 numri i konsumatorëve ka qenë 975 mijë, në vitin 2007, 999 mijë konsumatorë dhe në vitin 2008 ka shkuar në 1.040.000. Ndërkaq, të ardhurat vjetore nga viti në vit po ashtu kanë ardhur duke u rritur. Sipas të dhënave zyrtare të OSSH-së, në vitin 2006 të ardhurat vjetore kanë qenë 22.5 miliardë lekë, në vitin 2007 kanë qenë 23.4 miliardë lekë dhe në vitin 2008 parashikohen të arrihet një shifër prej 28 miliardë lekësh.

Dollapi: Furnizimi me energji, normal

Drejtori i përgjithshëm i OSSH-së, Sahit Dollapi, ishte dje në zonën e Kodër-Kamzës-Institut, ku ka nisur një investim prej 200 mijë USD. OSSH-ja synon që brenda tri ditëve të realizojë rindërtimin e plotë të rrjetit të shpërndarjes në zonë dhe menjëherë më pas të kompletojë me matës abonentët dhe të ndërtojë dy kabina elektrike. Investimi prej 200 mijë dollarësh ndikon në përmirësimin e treguesve, që në Kodër-Kamëz-Institut, janë të dobët, pasi abonentët e kanë të thjeshtë të ndërhyjnë në mënyrë të paligjshme në rrjetin aktual. Kjo ka bërë që humbjet në zonë të jenë të mëdha dhe shkojnë në 50%, ndërsa arkëtimet në 25%. Rrjeti i ri që po instalohet në zonë, ashtu siç është bërë në shumë zona të vendit, për shkak të teknologjisë së lartë, eliminon mundësinë e ndërhyrjes private në rrjet. Drejtori i OSSH-së tha dje se aktualisht, gjendja e furnizimit me energji është normale. “Të gjitha strukturat e OOSH-së po përgatiten për përballimin e sezonit të dimrit si për eliminimin e avarive, edhe për furnizimin normal të qytetarëve gjatë festave të fundvitit. Por dua të theksoj edhe një herë mesazhin se cilido qytetar, familjar, biznes apo ndërmarrje që nuk paguan energjinë elektrike të konsumuar, do t'i ndërpritet furnizimi me energji”, - tha Dolapi. Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të bëjnë në kohë pagesën e energjisë elektrike për të mos pasur më pas probleme me furnizimin, pasi në këtë kohë rritjet edhe konsumi i energjisë. “Vetëm kështu OSSH-ja nuk do të detyrohet t'u ndërpresë energjinë. Duke kërkuar këtë, dua të deklaroj edhe një herë se OSSH-ja po bën maksimumin për të garantuar furnizimin me energji të qytetarëve pa ndërprerje, gjatë 24 orëve”, - tha drejtori i OSSH-së. Lidhur me ndërprerjet e energjisë javëve të fundit, ai tha se nuk kanë ardhur si pasojë e kufizimeve që janë aplikuar gjatë gjithë këtyre viteve, pasi nuk mungon sasia e nevojshme e energjisë për të furnizuar qytetarët. “Ndërprerjet që ju përmendni, kanë ardhur si pasojë e avarive si në linjat e tensionit të lartë 220 apo 110, për të cilat përgjigjet Operatori i Sistemit të Transmetimit, ashtu edhe në linjat e tensionit të mesëm dhe të ulët për të cilat përgjigjet Operatori i Sistemit të Shpërndarjes”, - tha Dollapi. Ai siguroi konsumatorët se të gjitha ndërprerjet që ndodhin sot në territorin e Shqipërisë, ndodhin vetëm për shkak të defekteve, avarive ose kryerjes së investimeve në rrjet, siç po ndodh edhe sot, këtu në Kodër-Kamëz.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›