E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Ne dhe Lenini”, në fund

Në kinema “Imperal” sonte bëhet ndarja e çmimeve të TIFF-së. Sot projektohen dy programe me filma të shkurtër artistikë me autorë shqiptarë

Në seksionin special të filmave artistikë, premiera shqiptare “Ne dhe Lenini” me regji të Saimir Kumbaros do të mbyllë edicionin e gjashtë të Film Festival International Tirana ose njohur si TIFF. Sot në mbrëmje, para shfaqjes së filmit do të organizohet ceremonia e ndarjes së çmimeve në mjediset e kinema “Imperial”, në hotel “Sheraton”.

Me filmin “Lenini dhe ne” regjisori Saimir Kumbaro rrëfen historinë tragji-komike të një grupi të moshuarish që jetojnë në një azil. Janë një grup aktorësh që kanë eksperiencë filmike në kohët e kur punonte ish-Kinostudio, ku marrin pjesë aktorë karakteresh si Robert Ndrenika dhe Margarita Xhepa.

Ky është një produksion që regjisori Kumbaro i kthehet pas 12 vitesh, një film i cilësuar ironik dhe tendencioz. Bëhet fjalë për një portretin e Leninit, atij që ekziston në trurin tonë. Me skenar të Ruzhdi Pulahës, filmi përcjell idenë e regjisorit duke u futur në një lloj bunkerizimi të trurit apo mbeturina të Enverit. E kaluara komuniste, se si është përjetuar në një kontekst historik, qesharak, u kthen një lloj dëshpërimi atyre që kaluan pjesën më të mirë të jetës, në këtë brumosje.

Me këtë film regjisori ka fituar rreth 130 mijë euro nga Fondi i Jugut, duke u justifikuar prej regjisorit se Ballkani është një burim idesh, i lakmueshëm për kinemanë sot.

Interpretojnë aktorët Mirush Kabashi, Robert Ndrenika, Lazër Filipi, Margarita Xhepa, Elvira Diamanti, Mehdi Malko, Hajrie Rondo, Leon Çino etj.

Ndërkohë që sot shënohet dita e fundit e festivalit të TIFF-së, janë dy programe të posaçme që do t’u kushtohen filmave dhe dokumentarëve me autorë shqiptarë, nga të gjitha trevat. Në këtë edicion kanë aplikuar mbi 800 filma nga 412 autorë, prej 67 vendeve të ndryshëm, 412 filma nga kategoria fiction, 194 të animuar, 87 dokumentarë dhe 68 filma eksperimentalë. Ky mund të quhet një nga edicionet më të suksesshme të TIFF-së, ku për herë të parë programues ka qenë një i huaj, regjisori i pavarur amerikan, Thomas Logoreci.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›