Mitrovicë, 2 shpërthime pranë godinës së gjykatës
Dy shpërthime të fuqishme tronditën dje veriun e Kosovës, në Mitrovicë. Radioja serbe B92 njoftoi se shpërthimet ndodhën rreth orës 04:20 minuta të mëngjesit, jo shumë larg ndërtesës së gjykatës. Banorët e banesave pranë vendit ku ndodhi shpërthimi njoftuan për ngjarjen. Zëdhënësi i Shërbimit policor të Kosovës për veriun e Kosovës, Besim Hoti tha se policia nuk kishte të dhëna zyrtare për të lënduar apo dëmtime, por kishte informacion se shpërthimi ishte dëgjuar në mëngjes. Radioja serbe B92, e cila i referohet burimeve të ngushta pranë policisë thotë se shpërthimi mund të jetë shkaktuar nga një tritol i përbërë nga një sasi e madhe baruti.
Çështja e emrit, Gruevski i përgjigjet Cërvenkovskit
Pas deklaratave të presidentit të Maqedonisë, Branko Cërvenkovski i cili akuzoi kryeministrin Nikolla Gruevski për minim të dialogut për emrin me Greqinë, ka reaguar menjëherë ky i fundit duke përsëritur qëndrimin se çfarëdo propozimi të vijë, nëse do të jetë i përshtatshëm do të vendoset nga qytetarët me referendum. Gruevski, foli një ditë pas akuzave te ashpra të presidentit Branko Cërvenkovski për emrin. Kështu Cërvenkovski akuzoi Gruevskin se po pengon procesin e negociatave dhe se nuk dëshiron që të marrë përgjegjësi, akuza këto që u hodhën poshtë nga kreu i qeverisë. Duke hedhur poshtë akuzat, kryeministri Gruevski tha se është i gatshëm që të ndajë përgjegjësinë për këtë çështje, por se nuk do të pranojë kompromise që sipas tij nënvlersojnë popullin dhe shtetin maqedonas. Debatet mes dy udhëheqësve të shtetit janë ashpërsuar ndërsa pritet që ndërmjetësi në negociatat mes Athinës dhe Shkupit, Methju Nimiç të dalë me një propozim për emrin, i cili mund të jetë finali.
Shtetasit e BE-së pa viza në Maqedoni
Qytetarët e vendeve anëtare të Bashkimit Europian mund të hyjnë në Maqedoni vetëm me letërnjoftime. Lajmi u konfirmua nga Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë e cila njoftoi se nga dita e djeshme nuk nevojiteshin më vizat për këto vende. Parlamenti i Maqedonisë miratoi ligjin për të huaj, që u harmonizua me legjislaturën e BE-së. Sipas këtij ligji, hiqen vizat për 20 shtetet të cilat ndodhen në listën e ashtuquajtur të bardhë të BE-së dhe për shtetasit e rreth 100 shteteve të tjera të cilat posedojnë viza valide Shengen. Për një periudhë të shkurtër kohore në Maqedoni, pa viza mund të udhëtojnë edhe shtetasit e Malajzisë, Indonezisë, Singaporit, Karaibeve, Amerikës Jugore dhe Tajlandës dhe disa shtete të tjera. Maqedonia sipas paralajmërimeve të fundit nga Brukseli, pret që në vitin 2009, qytetarët e saj të udhëtojnë pa viza në vendet anëtare të Bashkimit Europian.
2 Tetor 2008