E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSSH: Shumë këshilltarë bashkiakë, debitorë

09/01/2009  Reagimi pas akuzave për diskriminim të furnizimit me energji të disa zonave

SHKODER- Kreu i OSSH-së Shkodër, Nesti Kiri, ka bërë publik faktin se një e treta e Këshillit Bashkiak të Shkodrës është debitorë ndaj KESH-it, ndërkohë që pritet nga ana e tyre që të jenë model për qytetarët e tjerë. Në bazë të statistikave të OSSH-së Shkodër 16 anëtarë të Këshillit Bashkiak të Shkodrës nuk paguajnë debitë për energjinë e konsumuar. Të dhënat flasin për periudhë të gjatë kohore që këta këshilltarë janë debitorë. Të dhënat zyrtare kanë të pasqyruar 4 anëtarë të Këshillit Bashkiak debitorë për periudhën 2004-2008, 8 anëtarë debitorë për vitet 2004-2006 dhe 4 anëtarë debitorë për periudhën 2004-2005. Ky fakt u bë i ditur nga drejtuesit e OSSH-së së Shkodrës pas akuzave të po këtyre këshilltarëve se OSSH-ja e Shkodrës, në mënyrë abuzive po diskriminon disa zona të qytetit të Shkodrës. Sipas tyre, zona të tilla si Tepe, Lukucezme, Dracin, Qafë, Kiras përfshihen vazhdimisht në kufizime me orare të zgjatura të energjisë elektrike, krahasuar me zona të tjera të qytetit të Shkodrës. Sipas këtyre këshilltarëve, zona e Kirasit furnizohet me Malësinë e Madhe, duke sjellë kështu shumë probleme në furnizimin me energji elektrike të kësaj lagjeje të vjetër të Shkodrës. Drejtori i OSSH-së Shkodër, Nesti Kiri, ka hedhur poshtë tezën e diskriminimit të këtyre zonave. “Aktualisht nuk ka kufizime në Shkodër. Kemi furnizim 24 orë me energji elektrike. Kemi pasur kufizime vetëm në kohën kur po bëhej investimi në rrjetin që lidhet me Vaun e Dejës. Për pak kohë kemi qenë vetëm me një linjë furnizimi dhe kemi bërë kufizime. Kufizimet janë bërë sipas përqindjes së pagesës së energjisë elektrike. Zonat që kanë qenë me pagesa rreth 70% e lart kanë pasur më pak kufizime, ndërsa zona të tjera ku përqindja e pagesës është e ulët kufizimet kanë qenë më të mëdha”, ka sqaruar drejtori Kiri. Sipas tij, zonat që kanë pagesa të ulëta dhe që në kohën kur kishte kufizime kishin më shumë orë pa drita janë Kiras, Ajasën, lagja Marlulaj, Tepe, zona e Artistikes, Zooteknikë, Stacioni i Trenit. Në këto zona pagesa e energjisë elektrike është nga 9- 30%. Por sipas drejtorit Nesti Kiri, investimi në këto linja ka përfunduar dhe e gjithë Shkodra është me 24 orë drita.

V. Abdyli

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›