Krimet ndaj pronës, zbulushmëri e ulët
Analiza e Departamentit të krimeve nxjerr në pah problemin në shkallë vendi, ndërsa vrasjet cilësohen në nivel të ulët
TIRANË- Zbardhja e krimeve ndaj pronës, ka pasur një nivel të ulët jo vetëm në Tiranë, por edhe në rrethe të tjera të vendit.
Në të gjithë vendin, gjatë vitit 2009 kanë ndodhur 3041 krime kundër pronës, ndërkohë që janë zbuluar vetëm 37% e tyre, duke mos u zbardhur as gjysma e krimeve të ndodhura. Kjo shifër është bërë publike dje nga drejtuesit e Policisë së Shtetit gjatë analizës së Departamentit të Hetimit të Krimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë.
Rezultatet e këtij departamenti janë prezantuar dje nga zv/drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Agron Kuliçi, i cili drejton edhe strukturën në fjalë. Gjatë analizës së djeshme janë publikuar edhe shifrat për krimet ndaj personit, ku gjatë këtij viti kanë ndodhur 79 vrasje, ku 52 prej tyre kanë ndodhur për motive të dobëta. Pjesë e kësaj shifre janë dhe vrasjet nga pakujdesia ku janë evidentuar shtatë të tilla, ndërsa 16 vrasje kanë ndodhur brenda familjes dhe gjashtë të tjera kanë pasur si motiv çështje të pronësisë.
Numri i vrasjeve gjatë këtij viti, të cilat kanë ndodhur për motive të ndryshme, ka qenë më i ulët gjatë gjithë dhjetëvjeçarit të fundit, ndërsa janë konstatuar dhe 211 tentativa vrasjeje.
Në listën e 79 vrasjeve të ndodhura në Shqipëri gjatë vitit 2009 bën pjesë dhe ekzekutimi i deputetit të Partisë Socialiste, Fatmir Xhindi, i vrarë në maj të këtij vitit pranë banesës së tij në Roskovec të Fierit. Nëntë vrasje vazhdojnë akoma të jenë të pa zbardhura, midis tyre, dhe vrasja e deputetit Xhindi, ku drejtuesit e Policisë së Shtetit pohuan dje, se po punohet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Gjatë vitit 2009 strukturat e hetimit të krimit në Policinë e Shtetit kanë goditur 31 grupe kriminale të trafikut dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike me 119 persona të proceduar dhe janë konstatuar 616 vepra penale, duke u arrestuar 405 persona për akuzën e shitjes dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Ndërkohë, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit financiar janë organizuar 38 operacione policore, duke u goditur 24 grupe kriminale dhe vlera e aseteve të sekuestruara arrin shifrën e pesë milionë eurove, ku katër milionë janë sekuestruar vetëm nga pastrimi i parave. Për llogari të drejtësisë shqiptare janë arrestuar me qëllim ekstradimi 100 persona dhe janë ekstraduar drejt vendit tonë 90 persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Ajo që konstatohet nga shifrat e publikuara është fakti së krimet ndaj pronës kanë zbulueshmërinë më të ulët. Vetëm dy ditë më parë, drejtori i Përgjithshëm, Drejtues i Parë, Hysni Burgaj, lëshoi kritika ndaj strukturave të Policisë së Tiranës, për nivelin e ulët të zbulueshmërisë së krimeve ndaj pronës, ku nga 1247 vepra penale kundër pronës, vetëm 42% e tyre janë zbuluar.
Shifrat e krimit gjatë 2009
730 krime kundër personit, ku 79 prej tyre kanë qenë vrasje, zbuluar 96%
3041 krime kundër pronës, ku janë zbuluar vetëm 37% e tyre
Në fushën e luftës kundër drogës, janë evidentuar 616 vepra penale dhe janë arrestuar 405 persona
Në fushën e korrupsionit dhe krimit financiar janë konstatuar 1610 vepra penale dhe janë organizuar 38 operacione policore
5 milionë euro është vlera e asteve të sekuestruara nga pastrimi i parave, mallrave kontrabandë dhe prodhimeve të tjera të paligjshme
Janë arrestuar 100 persona me qëllim ekstradimi dhe janë shpallur në kërkim ndërkombëtar 85 persona të tjerë