AMC dhuron 50 mije euro për banoret e zonave te përmbytura
AMC do të ndihmojë familjet në nevojë në zonat e përmbytura nga reshjet e ditëve të fundit. Drejtori i përgjithshëm i AMC-ë, Stefanos Oktapodas, bëri të ditur dje para gazetarëve shumën prej 50 mijë eurosh, që kjo kompani vë në dispozicion të emergjencës së krijuar. Si hap i parë AMC akordoi shumën 50 mijë euro në Komitetin Kombëtar të Emergjencës Civile, nëpërmjet llogarisë së posaçme bankare “Kontribut vullnetar për të shpërngulurit nga përmbytjet natyrore të qarkut Shkodër dhe Lezhë”. Kompania do të shpërndajë edhe numra AMC dhe gjithçka tjetër që u nevojitet drejtuesve të operacionit në terren, për nevojat e tyre të komunikimit. Skuadrat teknike të kompanisë AMC janë në terren dhe po marrin çdo masë që standardet e komunikimit të banorëve të mbeten në kushte të përsosura, sepse në këto çaste komunikimi luan rol kritik në ruajtjen e jetës së njerëzve. Gjatë gjithë këtyre ditëve komunikimi nëpërmjet AMC nuk ka pasur asnjë ndërprerje. Drejtori i përgjithshëm i AMC-ë, Oktapodas shprehu shqetësimin për situatën e vështirë si dhe solidarizimin e tij dhe të punonjësve të kompanisë me banorët e prekur nga kjo katastrofë natyrore. “Ndodhemi para një situate të vështirë. Në kohë të tillë fitojnë kuptimin e vërtetë iniciativat e Përgjegjësisë Sociale. Ndaj AMC është e gatshme të japë kontributin e saj të rëndësishëm, ku përfshihen burimet e saj njerëzore, financiare dhe teknike, me qëllim plotësimin e nevojave në zonat e prekura. Përfitoj nga prania juaj këtu për të ftuar edhe kompanitë e tjera t’u bashkohen përpjekjeve për të ndihmuar këto zona”,- deklaroi Oktapodas. Reagimi i menjëhershëm i kompanisë AMC-ë në këtë rast, është në vijim të nismave të mëparshme sociale për të ndihmuar kategori të ndryshme njerëzish në nevojë në të gjithë vendin.
9 Janar 2010