E Diel, 1 Nëntor 2026

Privatizimi i ARMO-s, Ministria dhe Prokuroria marrin në shqyrtim procesin



Ervin Koçi

Zëvendësministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Neritan Alibali, për herë të parë flet për ndërhyrjet që janë tentuar të bëhen në kuadër të procesit të privatizimit të kompanisë “ARMO”. Sipas Alibalit, gjatë procesit të privatizimit të kompanisë publike të naftës u tentua të vidhet në bashkëpunim dhe për qëllim manipulimi, informacioni zyrtar i klasifikuar, që kishte të bënte me këtë proces privatizimi. "Është tentuar të vidhet në bashkëpunim dhe të manipulohen informacione zyrtare të klasifikuara si konfidenciale. Subjekte të caktuara, për interesa të caktuara, të drejtpërdrejta, kanë tentuar të hyjnë e të marrin informacion për t’i përdorur, për t’i bërë presion komisionit për të ndryshuar edhe drejtimin e punës së grupit përkatës të ministrisë, të cilët negocionin kontratën",- ka deklaruar dje zëvendësministri i Ekonomisë, Neritan Alibali. Dështimin e kësaj vjedhjeje, Alibali e vlerësoi me vetë rezultatin e procesit të privatizimit të ARMO-s, i cili "tregoi se ishte e pamundur të mund të goditej ligji". Lidhur me emrat e personave të përfshirë në këtë akt të dënueshëm, - zëvendësministri i METE-s, tha se "ajo është çështje e organeve përkatëse. Ministria dhe organet përkatëse janë në vazhdim të këtij procesi". Zëvendësministri i Ekonomisë deklaroi se po merren të gjitha masat që proceset e tjera të privatizimit në vend të bëhen pa ndërhyrje.

Hetimi për sabotim

Burime pranë grupit hetimor të ngritur midis Prokurorisë, Policisë Kriminale dhe strukturave të Krimit Ekonomik në Ministrinë e Brendshme, bëjnë me dije se “janë vënë nën hetim të gjithë ata persona që kanë marrë pjesë në procesin e tenderit të privatizimit të shoqërisë së karburanteve ARMO”. Veç të tjerave, deklarata e kryeministrit citohet si “e nxituar” nga grupi hetimor, për shkak se krijon probleme me hetimet, pasi ato nuk janë mbyllur ende. Një furtunë lëvizjesh pritet të ndodhë në Ministrinë e Ekonomisë, ku zbulimi i “grupit armiqësor” ndaj ARMO-s do të "presë kokat" e fajtorëve, pas përfundimit të hetimit nga prokuroria. Në qendër të deklaratave indirekte të Kryeministrit Berisha, duket se janë zyrtarët e lartë, duke filluar nga zëvendësministrat. Problemet për republikanët duket sikur nuk kanë të sosur, pasi zëvendësministri i Ekonomisë dhe Energjetikës, Neritan Alibali, që ishte dhe kryetar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, është etiketuar si një nga personat kryesorë që duhet të japë sqarime mbi skandalin që lidhet me privatizimin e “ARMO”-s.

Denoncimi nga kryeministri

Pas mbylljes së privatizimit të ARMO-s dhe firmosjes së kontratës me blerësin e ri, kryeministri Berisha i është kthyer sërish këtij procesi të vështirë, duke zbuluar një pjesë të misterit me të cilin ishte rrethuar. Ai deklaroi në mbledhjen e Këshillit të Ministrave se Policia Kriminale neutralizoi sabotatorët që po përpiqeshin ta dështonin procesin. "Kjo ndodhi pasi këta zyrtarë kishin marrë oferta nga kompani të tjera", - u shpreh kreu i qeverisë. Duke shtuar se dosja ka shkuar tashmë në prokurori, Berisha theksoi se Ministria e Brendshme dhe Policia Kriminale kanë penguar veprimin korruptiv të punonjësve që kontribuojnë për sabotimin e suksesit. Kryeministri Berisha e ka vlerësuar në mbledhjen e qeverisë privatizimin e ARMO-s, si “procesin më të suksesshëm në 18 vitet e fundit, si dhe punën e bërë nga ekipi që u mor me të”.

Përfundon faza finale e privatizimit të kompanisë “ARMO”

Qeveria miratoi dy ditë më parë kontratën e shitjes së 85 për qind të aksioneve shtetërore të kompanisë së tregtimit dhe përpunimit të naftës “ARMO” te konsorciumi amerikano-zviceran, i përbërë nga tre shoqëri: "Anika Enterprises SA", "Mercuria Energy Group Limited", "Refinery Associates of Texas, INC", me një vlerë prej rreth 130 milionë euro. "Konsorciumi dëshiron të shprehë se kompania ‘ARMO’ do të hyjë së shpejti në një fazë të re të administrimit dhe zhvillimit të saj",- deklaroi drejtori i konsorciumit në Shqipëri, Rezart Taçi. "Me një projekt investimi të parametrave modernë në një shifër prej 240 milionë dollarësh për pesë vitet e para, konsorciumi do të ndërmarrë hapa për ta sjellë produktin e dy rafinerive të Ballshit dhe Fierit në përputhje me kushtet dhe kërkesat më të mira të tregut",- u shpreh më tej drejtori i konsorciumit. Investimi sipas tij do të përfshijë rinovimin e teknologjisë, infrastrukturën teknike dhe atë profesionale, trajnimin e punonjësve dhe reforma sociale, duke vlerësuar padyshim përvojën e punonjësve të kompanisë ARMO. "Është parashikuar një paketë e rëndësishme për përmirësimin e parametrave të ambientit, pasi në këto vite, zona ku janë vendosur dy rafineritë, ajo e Ballshit dhe e Fierit, ka qenë shumë problematike për ndotjen ambientale. Shifra prej 50 milionë dollarësh do të investohet në këtë drejtim që brenda disa vitesh të kemi tregues optimalë",- tha Taçi. Sipas tij, studimi dhe projekti është përgatitur nga ekspertët më të mirë në këtë fushë, të cilët do të ndjekin nga afër zbatimin e tij. Konsorciumi do të presë pas miratimit të vendimit të shitjes së kontratës nga Këshilli i Ministrave edhe ratifikimin e kontratës nga Kuvendi i Shqipërisë.

5 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›