E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSSH-ja u ndërpret energjinë ujësjellësve

06/04/2009  Mbeten pa furnizim 9 komuna. Nuk kanë shlyer faturat

Drejtori Bibo: Të likuidohen, nëse jo do bëjmë padi

FIER- OSSH Fier ka penalizuar me ndërprerjen e energjisë elektrike 9 ujësjellës në komunat e rrethit Fier. Sipas drejtuesit të OSSH-së Fier, Arjan Bibo, kjo masë ndëshkuese ka ardhur pasi ujësjellësit nuk kanë paguar detyrimet për energjinë e konsumuar dhe faturat e prapambetura. E njëjta procedurë do të zbatohet edhe për të gjithë debitorët e energjisë si dhe për të gjithë ata që abuzojnë me energjinë. Sipas drejtuesit të OSSH-së Fier, me privatizimin e saj OSSH ka rritur nivelin e kërkesës së llogarisë për çdo punonjës me qëllim rritjen e treguesve dhe rrjedhimisht përmirësim të shërbimit ndaj qytetarëve “Drejtoria jonë, ka pohuar Bibo, ka 136 000 abonentë. Siç dihet ka ndërmjet tyre edhe debitorë që nuk kanë paguar faturat e prapambetura për energjinë e konsumuar. Si debitorë ka familjarë, buxhetorë dhe jo buxhetorë, ndërmarrje shtetërore dhe subjekte private. Ne kemi ndërprerë energjinë në Fier 9 ujësjellësve që u përkasin 9 komunave të ndryshme të rrethit Fier si masë penalizuese sepse këto ujësjellës nuk kanë shlyer energjinë elektrike. Ata janë aktualisht pa energji elektrike dhe duhet të bëjnë likuidimet e faturave të energjisë elektrike dhe më pas të rilidhen me energji elektrike. Nëse ata lidhen me energji elektrike në mënyrë të jashtëligjshme, ne do të marrim masa për kallëzime penale në Prokurorinë e rrethit”. Detyra në vazhdimësi do të synojë reduktim të humbjeve në rrjet, e cila do të realizohet duke bërë kontrollin në çdo aparat matës të energjisë në banesat e qytetarëve ose subjekteve deri dhe në penalizime për ato subjekte që synojnë cenim të sistemit të matjes, abonentë apo edhe punonjës të kësaj ndërmarrjeje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›