Berisha: Kriza, faktor negativ për privatizimin e Bursës
06/04/2009 Qeveria po bën përpjekje për të privatizuar Bursën e Tiranës. Një institucion ky që deri tani nuk ka shërbyer për të rritur kapitalet e kompanive, apo për të zgjeruar fitimet e tyre, siç ndodh në vende të tjera. Deklaratën, kreu i qeverisë, Sali Berisha e ka bërë pas interesimit të gazetës “Metropol” në numrin publik të tij. Pyetjes se “çfarë masash do të marrë qeveria për Bursën e Tiranës nëse Partia Demokratike do të fitojë zgjedhjet në qershor të këtij viti?”, Kryeministri Sali Berisha ju përgjigj se kushtet aktuale financiare në të gjithë globin nuk janë në favor të kësaj situate. “Ka përpjekje për privatizim por kriza financiare nuk e ndihmon”, 0 citohet në përgjigjen me mesazh të vetë kreut të qeverisë. Ndërkaq, ministri i Ekonomisë, Genc Ruli ka shprehur në fund të vitit të kaluar angazhimin e qeverisë për të bërë efektiv tregun e kapitaleve, pas më shumë se një dekade përpjekjesh. “Bursa e Tiranës do të fillojë punë në vitin 2009. Ne presim që si fillim, të listohen pesë kompani që plotësojnë kriteret”, - është shprehur ministri i Ekonomisë. Bursa e Tiranës ka nisur që në vitin 1996. Ajo ka funksionuar si departament pranë Bankës së Shqipërisë, më pas u organizua si treg i drejtuar nga porosia dhe aktiviteti i saj bazë që konsistonte në tregtimin sekondar të Bonove të Thesarit dhe të 5 obligacioneve qeveritare. Më 1 Korrik të vitit 2002, Bursa e Tiranës u shkëput nga Banka e Shqipërisë dhe vazhdoi funksionimin e saj si shoqëri aksionere.