OSSH, kontratë kolektive 4-vjeçare me punonjësit
Problemet mes punonjësve të sistemit elektroenergjitik dhe punëdhënësit të tyre, OSSH, do të zgjidhen lehtësisht, pasi një marrëveshje e nënshkruar mes palëve lehtëson dhe rregullon marrëdhëniet mes tyre. Kjo marrëveshje bashkëpunimi duket se rregullon marrëdhëniet e punës, pasi zbaton Kodin e Punës dhe aktet nënligjore të dala prej tij. Pas një sërë bisedimesh paraprake, dje OSSH sh.a nënshkroi marrëveshjen për kontratën e re kolektive me Federatën Sindikale të Punonjësve të Industrisë së Shqipërisë (FSPISH) dhe Sindikatën e Pavarur të Punonjësve të Elektroenergjitikës së Shqipërisë (SPPESH).
Mbështetur në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, konventat ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë, Kodin e Punës së Republikës së Shqipërisë dhe aktet nënligjore të dala në zbatim të tij, si dhe në Statutin e OSSH Sh.a. palët ranë dakord të nënshkruanin një kontratë kolektive me afat 4-vjeçar. Objekti i kësaj kontrate është rregullimi i marrëdhënieve të punës ndërmjet punëdhënësit, OSSH sh.a. dhe punëmarrësit, të përfaqësuar nga Federata Sindikale e Punonjësve të Industrisë së Shqipërisë (FSPISH) dhe Sindikata e Pavarur e Punonjësve të Elektroenergjitikës së Shqipërisë (SPPESH), si dhe përcaktimi i të drejtave dhe detyrimeve të palëve.
Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes, kryetari i Bordit të Drejtorëve, Joseph Hejsek, theksoi se ndonëse ky vit ka qenë tepër i vështirë për OSSH-në, si një vit konsolidimi për kompaninë, kjo marrëveshje është një tjetër konfirmim i vullnetit për një bashkëpunim të mire mes palëve. Gjithashtu, zoti Hejsek njoftoi sindikatat për ndryshimet që janë planifikuar për vitin e ardhshëm rreth planit ambicioz të investimeve.
Nga ana tjetër, edhe përfaqësuesi i sindikatave, zoti Kolë Nikolla, u shpreh se kjo marrëveshje konsiderohet si një nga më të realizuarat në Shqipëri ndërmjet një sipërmarrjeje private dhe sindikatave. Zoti Nikolla garantoi të gjithë punonjësit e OSSH-së se ata, tashmë, kanë në dorë një dokument themeltar, i cili mbron interesat e tyre në marrëdhëniet e punës dhe është në përputhje të plotë me standardet evropiane të punësimit.