E Diel, 1 Nëntor 2026

Masa; Ndihmoi Dritan Dajtin, arrest me burg për inspektorin Muça



Gjykata e Tiranës vleftësoi masën e arrestit për policin e akuzuar se ndihmoi Dritan Dajtin gjatë kohës që ishte në arrati. Madje, dyshohet se është personi që nxori në pritë katër policët e vrarë gjatë operacionit për kapjen e Dajtit. Në seancën e djeshme, gjyqtarja Marsela Balili vetëm i ka komunikuar masën e marrë në mungesë, ka saktësuar gjeneralitetet e 31-vjeçarit dhe ka lënë të pandryshuar masën e caktuar ndaj tij pak ditë më parë. Marenglen Muça, inspektor në zonën ku Dajti strehohej, është vënë në pranga pas zbardhjes së tabulateve telefonike, ku rezultoi se jo vetëm e ka ndihmuar Dritan Dajtin, por edhe e ka furnizuar me materiale policore, si uniforma e radio policie. Gjatë masës, polici nuk ka preferuar të flasë, ndërkohë që ka qenë avokati i tij që ka kërkuar masë më të butë për klientin. Muça u prangos në zyrën e prokurorëve të Krimeve të Rënda, ndërkohë që ishte thirrur për të dhënë shpjegime rreth fakteve të zbuluara nga tabulatet telefonike.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›