E Shtunë, 31 Tetor 2026

Part-time, datat dhe procedurat e regjistrimit



Ministria e Arsimit ka publikuar dje datat dhe procedurat për pranimin në sistemin e studimeve me kohë të pjesshme. Në këtë mënyrë, studentët duhet të paraqiten në sekretariate prej datës 2 dhjetor, për të aplikuar, ndërkohë që janë përcaktuar njëkohësisht edhe dokumentet e nevojshme që do t’u nevojiten aplikantëve. Rezultatet e fituesve dhe regjistrimi i tyre do të kryhet brenda muajit dhjetor e si pasojë studentët e ardhshëm do të nisin mësimin e tyre në janar.

Datat

“Aplikimi i kandidatëve në programet e studimit me kohë të pjesshme dhe edukimin në distancë, të zhvillohet nga data 2.12.2009 deri në datën 8.12.2009, prej orës 8.00 deri në orën 16.00, pranë sekretarive mësimore të njësive kryesore të Institucioneve Publike të Arsimit të Lartë”, – përcaktohet në udhëzimin përkatës të Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës.

Sipas këtij udhëzimi, Institucionet Publike të Arsimit të Lartë do të shpallin dhe do të afishojnë listat e kandidatëve fitues në vende të dukshme, në mjediset e njësive kryesore përkatëse, brenda orës 12:00 të datës 14.12.2009, të ndarë sipas programeve të studimit përkatës.

“Regjistrimi i kandidatëve në programet e studimit me kohë të pjesshme dhe edukimin në distancë ku janë shpallur fitues, të zhvillohet nga data 14.12.2009 deri në datën 18.12.2009, prej orës 8:00 deri në orën 16:00, pranë sekretarive mësimore të njësive kryesore të Institucioneve publike të Arsimit të Lartë”, – përcakton udhëzimi.

Dokumentet

Për sa u përket dokumenteve, pak ndryshime ka në krahasim me një vit më parë. “Aplikimi për regjistrim në programet e studimit të ciklit të parë me kohë të pjesshme, të bëhet pranë sekretarive mësimore të njësive kryesore dhe të shoqërohet me dokumentacionin”, – përcakton udhëzimi.

Dosja e plotë e kandidatit, sipas udhëzimit, duhet të përmbajë: fotokopje të noterizuar të dëftesës së pjekurisë së shkollës së mesme ose fotokopje të noterizuar të ndonjë diplome tjetër studimi të fituar jashtë vendit, të vlerësuar të barasvlershme me të; dokument identifikimi (certifikatë lindjeje me fotografi, kartë identiteti ose pasaportë), ku në dosje të mbahet certifikata e lindjes me fotografi, fotokopja e kartës së identitetit ose e pasaportës; 2 fotografi; mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1.500 lekë; si edhe deklaratë që vërteton se kandidati nuk ndjek ndonjë program tjetër studimi me kohë të plotë ose me kohë të pjesshme.

Për studentët që vijojnë një program të dytë, ata duhet të paraqesin një fotokopje të noterizuar të diplomës, në vend të dëftesës së pjekurisë.

Dokumentet

a) Fotokopje të noterizuar të dëftesës së pjekurisë së shkollës së mesme, ose fotokopje të noterizuar të ndonjë diplome tjetër studimi të fituar jashtë vendit, të vlerësuar të barasvlershme me të.

b) Dokument identifikimi (certifikatë lindje me fotografi, kartë identiteti ose pasaportë). Në dosje të mbahet certifikata e lindjes me fotografi, fotokopja e kartës së identitetit ose e pasaportës.

c) 2 fotografi.

d) Mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1.500 lekë.

e) Deklaratë që vërteton se kandidati nuk ndjek ndonjë program tjetër studimi me kohë të plotë ose me kohë të pjesshme.

UT, konferencë për pavarësinë

Universiteti i Tiranës organizoi në mjediset e rektoratit konferencën shkencore me temë “Pavarësia dhe integrimi”, në lidhje me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë dhe integrimin e vendit tonë në organizatat evropiane e më gjerë. Rektori i Universitetit të Tiranës, prof. dr. Dhori Kule, vendosi theksin mbi rëndësinë e shkollimit në proceset dhe momentet historike që kalon çdo komb e në veçanti kombi shqiptar. “Realiteti kompleks që po jetojmë, na ka bërë që ne sot të mbajmë një konferencë shkencore, jo thjesht për pavarësinë, por edhe për integrimin, që është pikësynimi kryesor i kombit shqiptar në 20 vitet e fundit. Jam besimplotë se si pavarësia dhe integrimi nuk janë arritje që ndodhin vetiu, por lindin nga bankat e shkollave dhe auditorët e universiteteve, janë pasojë e formimit arsimor që u bëhen brezave të rinj, të cilët nesër do të marrin stafetën për ta çuar Shqipërinë një hapë më përpara”, – tha rektori Kule. Gjatë kësaj konference, referuan pedagogë të departamentit të Historisë në Universitetin e Tiranës.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›