Rusmali: Kreu i PS-së po keqinterpreton rezolutën e KiE-së
08/02/2010 Kryetari i delegacionit të Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, deputeti i PD-së Ilir Rusmali, deklaroi dje se kreu i PS-së ka keqkuptuar rezolutën e KiE-së. “Kryetari i PS-së me një interpretim të mbrapshtë, po përpiqet përditë me kërcënim dhe me keqinterpretim të përligjë bojkotin, si i mbështetur në rezolutën e Këshillit të Evropës”, tha Rusmali. Ai shprehu gatishmërinë e PD-së për të respektuar çdo pikë të kësaj rezolute, duke kërkuar që të njëjtën gjë të bëjë edhe kundërshtari i tij politik. Duke iu referuar sërish rezolutës, ai konfirmoi se PS-ja më parë duhet të lërë bojkotin, e më pas të nisë dialogu me Presidentin. “Asambleja Parlamentare në rezolutën e saj thotë se negociatat nëpërmjet Presidentit të Republikës duhet të synojnë rivendosjen e dialogut politik, por edhe t’i japin fund bojkotit të PS-së. Jo mbi bazën e kërcënimit me protesta, por, po citoj rezolutën, ‘mbi bazën e pranimit të rezultatit të zgjedhjeve të fundit dhe mbi bazën e rivendosjes së plotë të demokracisë parlamentare”, tha ai.