PS merr mandatet dhe bojkoton Kuvendin,Ruçi: Kthehemi nëse Berisha hap kutitë
Aristir Lumezi
Deputetët e PS bënë dje betimin në Parlament dhe dolën për të vazhduar bojkotin.Dje deputetët socialistë i dhanë fund debatit mbi djegien e mandateve të tyre, për të cilat Kryetarja e Parlamentit, Topalli ishte shprehur prerë se do të zbatonte Kushtetutën, duke kërkuar zëvendësimin e deputetëve nëse ata nuk do të shkonin deri më 6 mars në Kuvend. Sipas vendimit të marrë dy ditë më parë, në mbledhjen e grupit, deputetët iu drejtuan dje godinës së Parlamentit për të bërë betimin dhe për të ushtruar mandatin. Por ndryshe nga ç’pritej, deputetët e PS vetëm sa kanë shpëtuar djegien e mandatit të tyre, por nuk nisën ta ushtrojnë atë, për shkak të daljes së tyre nga seanca, për të vazhduar bojkotin. Bojkoti i Parlamentit deri në një afat të pacaktuar u konfirmua mbrëmë dhe nga kryetari i Asamblesë Kombëtare, Gramoz Ruçi i ftuar në “Top Story” në Top Channel. Ruçi tha dje se do të kthehemi në seancë vetëm kur të marrim përgjigje nga maxhoranca për hetimin e zgjedhjeve. “Grupi i PS do të jetë në seancën e parë që pala tjetër do të kërkojë një zgjidhje politike dhe institucionale në sallën e Parlamentit. Ne do të jemi të gatshëm për çdo tryezë dialogu për këtë çështje”, u shpreh mbrëmë Ruçi. Sipas tij, socialistët shkuan në Parlament për një marrëveshje me maxhorancën dhe dialog me të, duke dhënë dhe një opsion se si do të realizohet ky dialog dhe kjo marrëveshje. “Që të bësh një marrëveshje duhen dy palë, pala tjetër dhe pse unë bëra dy herë apel, nuk mori as kurajën të thoshte, stop, do ta lexojmë, do ta studiojmë propozimin tuaj, dhe na jepni kohë që t’u japin përgjigje. Ata nuk ishin njohur fare me dosjen tonë. S’ka asnjë tërheqje nga kushtëzimet që PS ka vënë me Parlamentin shqiptar”, u shpreh Ruçi.
Betimi
Kishte kohë që një grup deputetësh të PS-së kërkonte hyrjen në Kuvend dhe lënien e bojkotit. Një prej tyre, Andis Harasani ishte i pari që mbërriti dje në godinën e Kuvendit, ndërsa është pasuar nga Kastriot Islami, i cili ishte nën shoqërinë e Ambasadorit të prezencës së OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch dhe këshilltarit të tij politik, Dan Redford. Deputetët e vjetër socialistë, iu drejtuan direkt sallës së Kuvendit, ndërsa takimi i të gjithë deputetëve ishte vendosur të bëhej përpara hyrjes së lulishtes së Kuvendit, të cilët i priste Gramoz Ruçi dhe të tjerë deputetë të vjetër, si Valentina Leskaj, Arta Dade, Ethem Ruka, Taulant Balla etj. Në orën 16:55 grupi i madh i deputetëve socialistë, i kryesuar nga Ruçi, kaloi postbllokun e Gardës së Republikës për t’ju drejtuar sallës së Kuvendit. Seanca nisi me leximin e ligjit të betimit, ndërsa ndryshe nga betimi i deputetëve të maxhorancës, Kryetarja e Kuvendit i ka thirrur deputetët e PS-së edhe me emrin e babait. Gjatë këtyre gjashtë muajve, maxhoranca i ka akuzuar një pjesë të deputetëve socialistë si “bijtë e etërve”, duke u kujtuar prejardhjen e tyre nga nomenklatura komuniste. Një nga një deputetët socialistë janë betuar dhe kanë plotësuar gjithashtu dhe deklaratën për të qenë pjesë e grupit parlamentar socialist. Pas fjalës dhe replikës së Gramoz Ruçit me kryeministrin Berisha, deputetët socialistë kanë lënë sallën, duke i lënë kohë maxhorancës të përgjigjet për projektligjet e propozuara prej tyre. Gjatë paradites së djeshme grupi socialist u mblodh sërish për të caktuar vendosjen e deputetëve në sallën e Kuvendit, ku u tentua që pesë deputetët e mendimit ndryshe të mos ishin bashkë në një tavolinë. Gjithashtu kreu socialist kërkoi që në seancën e djeshme të mos fliste asnjë tjetër përveç Ruçit dhe të mos bëheshin deklarata të tjera. Edhe dje mbledhja e grupit të deputetëve socialistë nuk diskutoi rreth zgjedhjes së drejtuesve të grupit dhe shpërndarjes së deputetëve në komisionet parlamentare.
Blushi: Plani i PS, të hynim në kryeministri
Anëtari i kryesisë së Partisë Socialiste, Ben Blushi zbuloi dje se plani i opozitës pas zgjedhjeve të 28 qershorit ishte të bënte protesta për të rrëzuar Berishën duke futur njerëzit në Kryeministri. Këtë deklaratë kreu i Lëvizjes për Mendimin Ndryshe në PS e bëri mbrëmë në emisionin “Opionin”, gjatë një debati me kryetarin e Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi. “E nisëm në shtator pa bojkot me njohje të kushtëzuar të Parlamentit, pastaj doli bojkoti dhe më pas protestat për marrje me dhunë të pushtetit. Ti dhe unë Gjinush e dimë mirë planin e PS-së, protesta pa fund për të hyrë deri në Kryeministri me njerëzit”, u shpreh Blushi. Ndërkohë, gjatë një prononcimi për mediat, në përfundim të seancës parlamentare ku deputetët e opozitës bënë betimin deputeti i qarkut të Korçës theksoi se do të vazhdojë të respektojë vullnetin e shumicës, edhe pse vendimi për të dalë nga Parlamenti, sipas tij, ishte i padrejtë. Në të njëjtën kohë Blushi theksoi se vendimi i Ramës për të kthyer Partinë Socialiste në Kuvend erdhi edhe për shkak të presionit të ushtruar nga grupi kritik në selinë rozë. “Në disa raste duhet të pranojmë edhe gjëra të padrejta. Ky është rasti jonë. Ne kemi gjashtë muaj që themi se duhet të shkojmë në Parlament dhe grupi erdhi. Koha na dha të drejtë”, deklaroi Blushi. Duke komentuar largimin e PS-së në seancën e djeshme, ai theksoi se “dolëm për të respektuar vendimin e grupit me të cilin nuk jam në një mendje. Do duhej të rrinim në Parlament për të përmbushur detyrimet tona dhe angazhimin që PS mori pas rezolutës së KiE-se”. Sipas Blushit “ne do të vazhdojmë të respektojmë vendimin e grupit. Një hap i parë ishte që Edi Rama nuk guxoi, edhe për arsye të brendshme, të djegë mandatet e deputetëve të PS-së. Ka pasur brenda PS-së edhe një bindje për djegien e këtyre mandateve gjë që nuk ndodhi edhe për meritën tonë”.
Ruçi: Berisha, të sfidoj me Ruzhdien
BLEDAR HOTI
Maxhoranca dhe opozita përplasen për herë të parë në Parlament për çështjen e hapjes së kutive të votimit.
Debati ndërmjet kryeministri Sali Berisha dhe deputetit të PS-së, Gramoz Ruçi është fokusuar në kutitë e Ruzhdies, ku demokratët pretendonin të merrnin mandatin e shtatë të qarkut të Fierit. Opozita e kthyer pas gjashtë muajsh bojkoti parlamentar, nuk ka ngurruar të akuzojë maxhorancën për manipulimin e zgjedhjeve e 28 qershorit. Ruçi gjatë fjalës që prezantonte qëndrimin zyrtar të të socialistëve në Kuvend foli për projektligjin e ngritjen së komisionit hetimor, që përfshin hetimin e pakufizuar e të pakushtëzuar të zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit dhe draftin tjetër, i cili i jep të drejtën e hapjes së kutive çdo partie që kërkon hetim për zgjedhjet. Zyrtari socialist, duke përmendur pretendimin e Berishës për votat e Ruzhdies, propozoi që kutitë e kësaj qendre votimi të hapen në mes të Parlamentit. “Ta sjellim dhe ta hapim këtu në Parlamentin shqiptar, në këtë sallë para syve të popullit, vetëm kutinë e Ruzhdies për të vendosur për më tej. Në qoftë se bindja jonë se zgjedhjet janë kërcënuar shumë seriozisht nga një mekanizëm grabitje, përmes korrupsionit të komisionerëve, nëse nuk vërtetohet plotësisht përpara syve të gjithë shqiptarëve dhe gjithë komunitetit ndërkombëtar, unë personalisht jo vetëm që ju kërkoj ndjesë publike, por jap dorëheqjen nga gjithë skena politike dhe shkoj në shtëpi së bashku me 8 deputetët e qarkut të Fierit”, tha Ruçi. Kreu i Asamblesë së PS-së, duke iu drejtuar Kryeministrit theksoi se “opozita e hodhi hapin e parë, përfundimisht topi është në fushën tuaj z. Berisha. Ne jemi këtu për të pritur reagimin tuaj”. Kryeministri Berisha ka premtuar bashkëpunim me opozitën në dobi të procesit të reformës zgjedhore. Ai theksoi se “garantoj opozitën se do të ketë jo vetëm veton, por do të jetë përcaktuese në të gjithë kuadrin elektoral në rast se dëshiron edhe sistemin le ta ndërrojë, në rast se dëshiron të përdorim teknologjitë më të larta. Por është e domosdoshme që pozicionet të afrohen, të përpiqemi të afrojmë perceptimin e realitetit. Nuk ka asgjë më të rëndësishme të arrijmë në konkluzione të drejta sesa të prekësh realitetin, të përpiqesh të bësh Shën Thomain”. Në lidhje me batutën e fundit të kreut të Asamblesë së PS-së, Berisha replikoi se: “Zoti Ruçi e mbyllët fjalën tuaj duke më thënë se Topi është në fushën time. Do më lejosh të bëj një shpjegim. Në fëmijërinë time të hershme në fshatin tim nuk kishte top, por unë kisha kalë dhe që nga atëherë gjer sot unë kam mbetur kavalier. çfarë t’i bëj unë topit?”. I menjëhershëm ka qenë edhe batuta e vetë Ruçit ndaj Kryeministrit. “Për sa i përket topit dhe kalit, vërtetë gjetja s’është e gjetur. Në qoftë se unë përdora fjalën top, opozita hodhi sot një hap, e hodhi një hap këtu në Parlament dhe me një propozim konkret të cilin ende se keni lexuar dhe pa e lexuar fare dhatë përgjigje që as doni ta lexoni. Kur unë në fjalën time thashë që nuk e duam sot këtë përgjigje sot, por ti japim kohë njëri - tjetrit me qetësi dhe maturi, jashtë kësaj salle dhe brenda në sallë për të zgjidhur krizën. Kurse ju thatë se jeni kavalier dhe jeni i hipur në kalë. Zoti Berisha mirë kur e keni kalin, por këtu bëhet fjala që ka ngordhur kali, si mund të jesh kavalier kur vendi është në krizë politike, institucionale dhe ekonomike. Ja pse kemi ardhur ne zoti Berisha, jo për kavalierin, për kalin”, theksoi Ruçi.
Patozi: Po na kërkoni një borxh që nuk ua kemi marrë
Kryetari i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi tha dje se maxhoranca është e gatshme t’i ofrojë të gjitha hapësirat opozitës për të bashkëpunuar në Parlament, por sipas tij ajo nuk mund t’i kthejë PS-së një borxh që nuk e ka. “Jeni në të drejtën tuaj të dyshoni, kontrolloni dhe kërkoni garanci për të sotmen e të ardhmen, por është po kaq e vërtetë se nuk mund të na kërkoni ne një borxh që nuk ua kemi marrë. Në funksion të lëvizjes suaj politike, që ju e paraqisni sikur ka për qëllim transparencën dhe zgjedhje më të mira në të ardhmen, mos lini gur pa lëvizur dhe aksion pa ndërmarrë, por gjithmonë në respekt të Kushtetutës, ligjeve të vendit dhe rregullave të shtetit ligjor”, tha Patozi, në seancën e djeshme parlamentare. Sipas tij “duhet të sqarojmë një herë e mirë publikun, se në të gjithë globin zhvillohen zgjedhjet një ditë, që pastaj të qeveriset për katër vjet. Në Shqipëri po kërkohet që të qeveriset një ditë, për të pasur zgjedhje katër vjet me radhë. Dhe ky absurd duhet të marrë fund një herë e mirë. Sot mund të ishte dita e duhur e marrjes së përgjegjësive”.
çfarë ndodhi në Ruzhdie
Në zonën elektorale të Ruzhdies, në qarkun e Fierit, opozita kishte shumicën e komisionit zgjedhor. Gjatë paradites së 28 qershorit, 3 komisionerë të opozitës u larguan nga qendra e votimit duke marrë një nga dy vulat që pranohen në fletën e votimit. Në këtë kuti, PD pretendoi se ka fituar zgjedhjet, por KQZ-ja vendosi të mos e numërojë këtë qendër për shkak se fletët e votimit ishin me një vulë, ndërkohë që një fletë e rregullt është ajo me dy vula, të kryetarit dhe sekretarit. PD kërkoi nga Kolegji zgjedhor që t’i përfshinte fletët e votimit të Ruzhdies, të cilat do të bënin që kjo forcë të fitonte mandatin e shtatë në Fier. Por Kolegji e rrëzoi kërkesën e koalicionit të djathtë, duke i dhënë PS-së 9 deputetë dhe maxhorancës 6.