OSSH nis vlerësimin e punonjësve
Leximi i faturave të energjisë dhe ankesat, do të jenë ndër kriteret e vlerësimit për punonjësit
TIRANË - Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ka nisur punën për vlerësimin e rreth 6 400 punonjësve të tij.
Burime pranë këtij institucioni, konfirmojnë faktin se, verifikimi i ecurisë në punë të punonjësve, do të kryhet në mënyrë hierarkike, ku ecuria e vartësve, do të merret në shqyrtim nga eprorët.
Në një prononcim për mediat, disa ditë më parë, kreu i OSSH-së, Sahit Dollapi, bëri të ditur tre kriteret kryesore të vlerësimit, të cilët janë; rezultatet në punë, marrëdhëniet me konsumatorin dhe ngritja profesionale.
Konkretisht, për çdo faturist, do të merret në konsideratë saktësia e leximit të energjisë së harxhuar nga çdo konsumator dhe nëse ajo korrespondon me atë çka është faturuar. Po ashtu, ne konsideratë do të merret edhe fakti nëse janë regjistruar ankesa nga konsumatorët për secilin punonjës.
Për sa u përket elektricistëve, merret në shqyrtim gatishmëria e tyre në riparimin e avarive apo në përmirësimin e rrjetit, për zonën të cilën mbulojnë. "Do të marrim masa ndaj çdo punonjësi që nuk është korrekt në faturimin e energjisë, në përmirësimin e rrjetit apo eliminimin e avarive", - deklaroi disa ditë më parë kreu i OSSH-së, Sahit Dollapi.
Procesi i testimit të punonjësve të OSSH-së, nuk do të kryhet në formë interviste, por mbështetet në verifikimin e të dhënave për secilin prej tyre.
Në rast të përballjes me ecuri jo të mirë, siç mund të jetë faturimi jo i rregullt i energjisë së harxhuar nga konsumatorët, ankesat e qytetarëve apo mosangazhimi në riparimin e avarive, të parashikohet zëvendësimi i tij me një punonjës tjetër.
Drejtori i përgjithshëm i këtij institucioni, Sahit Dollapi, siguroi se nuk bëhet fjalë për shkurtim të vendeve të punës, siç ndodh zakonisht në privatizime, por me zëvendësim të punonjësit.
Ndërkohë që ende nuk janë bërë të ditura kriteret, mbi bazën e të cilëve do të merren punonjësit e rinj, në rast të përballjes me shkelje nga të testuarit. Verifikimi i mbarëvajtjes së punës së të gjithë punonjësve të OSSH-së, nis menjëherë pas nënshkrimit të kontratës së privatizimit të saj, nga kompania çeke CEZ. Këta të fundit, do të marrin në kontroll të plotë Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes, pas tre muajsh.
Brenda kësaj periudhe, pritet miratimi i një garancie financiare nga Banka Botërore, e cila i siguron privatizuesit nga ndonjë shmangie e mundshme që mund të bëhet nga kontrata e palës shqiptare. Gjithashtu, kontrata e shitjes pritet të miratohet edhe nga Parlamenti.