SHBA-Berishës: Respekto institucionet e pavarura
TIRANË- Në kulmin e debatit për reformën në sistemin e drejtësisë, dhe konkretisht për projektligjin për prokurorinë dhe atë për administratën gjyqësore, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë përcjellë qeverisë shqiptare sinjale të qarta për të hequr dorë nga çdo tentativë për të shtuar influencën e saj apo për të dominuar institucionet e tjera të pavarura. Mesazhi i është përcjellë në mënyrë të drejtpërdrejtë kryeministrit Sali Berisha nga Zëvendës Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Gordon Ingland, gjatë një dalje të përbashkët për shtyp, pas takimit që zhvilluan dje në ambientet e kryeministrisë. Duke folur për rëndësinë që kanë reformat në demokratizimin e mëtejshëm të jetës së vendit dhe arritjen e standardeve integruese, zyrtari i lartë amerikan i ka kujtuar qeverisë shqiptare se këto reforma nuk duhet të shërbejnë kurrësesi si një mundësi për të rritur ndikimin e njërit pushtet mbi tjetrin. “Përgëzoj udhëheqjen shqiptare dhe popullin shqiptar dhe përparimin domethënës të arritur në përmbushjen e shumë reformave. Nxis si qeverinë ashtu edhe popullin të vazhdojnë këto reforma dhe të respektojnë institucionet e pavarura që do të ndihmojnë vendin tuaj të ndërtojë një demokraci dhe ekonomi të fortë”, - tha zëvendës sekretari amerikan i Mbrojtjes Gordon Ingland në fjalën e vet mbajtur gjatë kësaj konference. Ndërkohë kryeministri Sali Berisha nga ana e tij duke iu shmangur reformës në drejtësi dhe shqetësimeve që ka ngritur kohët e fundit opozita për këto çështje, por edhe debatit të iniciuar nga ai vetë kundrejt punës së KLD-së dhe Prokurorisë,e ka përqendruar fjalën e vet tek një reformë tjetër që ka të bëjë me përgatitjen e infrastrukturës së duhur ligjore për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme. Duke u ndalur pikërisht tek kjo çështje Berisha ka siguruar partnerët amerikan se qeveria që ai drejton do të bëjë të pamundurën për të realizuar zgjedhje që të pranohen jo vetëm nga ndërkombëtarët por edhe nga klasa politike shqiptare. Për këtë ai i ka kërkuar qeverisë amerikane nëpërmjet zëvendëssekretarit England që të asistojë zgjedhjet e ardhshme parlamentare me vëzhgues amerikan. “E informova zotin England për reformat politike, reformat ekonomike dhe reformat e gjithanshme, duke u ndalur veçanërisht në zgjedhjet e ardhshme, ku shpreha vendosmërinë e qeverisë sime për të bërë çdo gjë për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe parashtrova kërkesën për vëzhgues nga institucionet kompetente të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në këto zgjedhje”, - tha kryeministri Berisha në fjalën e vet. Pjesë e diskutimeve siç edhe ka konfirmuar edhe vet Ingland gjatë bisedës me kryeministrin Berisha kanë qenë dhe një sërë çështjesh të tjera të nxehta për politikën shqiptare dhe jo vetëm saj, duke filluar nga stabiliteti rajonal, modernizimi ushtarak i Shqipërisë, klima e biznesit, reformat në vazhdim, si dhe çështjen e municioneve të pashpërthyera. Numri dy i Pentagonit ka falënderuar Shqipërinë dhe popullin shqiptar për mbështetjen që i ka dhënë koalicionit të vendeve demokratike në luftën kundër terrorizmit, duke marrë pjesë në misionet paqeruajtëse në Afganistan dhe Irak.