E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSSH-qytetarëve: “Më falni që ju vodha”

Autori i Lajmit: Lili Saraci

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes së energjisë elektrike ka pohuar të enjten se nga kontrollet e deritanishme të faturave të energjisë, ka evidentuar abuzime nga ana e faturistëve të saj. Ka qenë vetë drejtori i CEZ, Jozef Haisek, që konfirmoi zbulimin e 5300 raste abuzimesh që kapin vlerën e 105 milionë lekëve. “Ne të gjithë e dimë që ka mungesa në shumë fusha, përfshirë dhe sistemin e faturimit për klientët tanë. CEZ Albania po punon për verifikimin e të gjitha çështjeve të pazgjidhura brenda OSSH-së, të cilat midis të tjerave, kanë të bëjnë me kulturën e vjetër të punës të punonjësve të OSSH-së, një sistem faturimi shumë problematik, për të cilin po punojmë intensivisht që ta rindërtojmë dhe performancën e keqe të shumë faturistëve, të cilët po i identifikojmë, po i pushojmë, po i ndjekim penalisht dhe po i zëvendësojmë me njerëz të rinj. Gjithashtu, ashtu siç e kemi përmendur më parë, ne kemi larguar nga detyra tashmë drejtorin e Shitjeve të OSSH-se dhe më shumë se 100 faturistë”,- thuhet në deklaratën e drejtorit të CEZ-it, Haisek. Ai ka këmbëngulur se OSSH i ka llogaritur faturat e janarit me të njëjtën metodologji dhe me të njëjtin sistem të dhënash si në të kaluarën. Sipas Haisek, në lidhje me faturat e janarit, çdo klient gëzon të drejtën të vërtetojë saktësinë e faturës. Bazuar mbi kërkesën e klientit faturat do të kontrollohen nga sistemi i brendshëm, i cili do të kryhet nga ekspertë ndërkombëtarë, e më pas në prezencën e klientit do të verifikohet në vend dhe, nëse pretendimi vërtetohet, shuma e mbifaturuar do ti zbritet klientit në faturën pasardhëse. Ditët e muajit dhjetor të faturuara në janar do të llogariten me tarifat e vjetra. Sipas Haisek, shkeljet e konstatuara sollën ndryshimet e nevojshme në OSSH duke nisur nga procesi kompjuterik për kontrollin e konsumit të energjisë.

Mungesa e faturave, qytetarët njihen me tarifën në copa letrash

Një tjetër problem që vihet re tek Operatori i Sistemit të Shpërndarjes është edhe dërgimi i faturave tek qytetarët. Në shumë raste faturat nuk shkojnë dhe në raste të tjera ato humbin. Por, OSSH në asnjë rast nuk bën zëvendësimin e faturës, por për të zëvendësuar atë përdor copa letre ku shkruan kilovatët e konsumuar. Problemi aq banal sa duket, aq edhe problematik është, pasi qytetarët e marrin vesh sasinë e energjisë së konsumuar vetëm në kohën që paraqiten në ndonjë prej filialeve të OSSH. Sipas qytetarëve, serioziteti i kësaj firme duket që në shpërndarjen e faturave apo dhënien e copave të letrës kur qytetarët interesohen për faturat në filialet e OSSH. Problemet për mosdërgimin e faturave tek familjarët lindin edhe për shkak të mosnjohjes së zonës nga faturistët apo mungesës në disa zona të sistemit të adresave.

“OSSH po na rrënon me të njëjtin ritëm, paguajmë dy pensione për një faturë”

Përpos vjedhjeve marramendëse për muajt dhjetor dhe shkurt, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes vijon me të njëjtin ritëm të rrënojë ekonominë e qytetarëve me anë të faturave të energjisë elektrike. Në sportelet e arkëtimit të OSSH në kryeqytet, edhe gjatë ditës së djeshme, qytetarët dilnin të shokuar nga shumat e faturuar nga OSSH në faturat e tyre. Zyrat e OSSH-ës, janë kthyer në një makth të vërtetë për qytetarët, të cilët janë të detyruar të sorollaten për të gjetur faturën e energjisë elektrike, pasi nuk u shkon në shtëpi. Por ky është vetëm një ndër problemet që dëgjohen në zyrat e OSSH, pasi një tjetër problem ose strategji e OSSH-së për të vjedhur qytetarët është dhe një mënyrë se si ata përzgjedhin qytetarët për ti faturuar. Kështu, sipas qytetarëve që ankohen në këto zyra, një tjetër problem i fundit është ai ku në muajin janar qytetarët faturohen me (o), ndërsa në muajin shkurt i mbledhin kilovatët e dy muajve dhe i faturojnë me çmimin 13% që ka hyrë në fuqi në fillim të janarit. Por pranë këtyre zyrave nuk mund të mos dëgjosh edhe ankesat e pensionistëve, që janë edhe kategoria më e prekur nga vjedhjet e OSSH. Fryrja e faturave të energjisë elektrike nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ndikon drejtpërdrejt në xhepat e qytetarëve, por ata që e ndiejnë më shumë janë pensionistët, të cilët shprehen se u duhet të lënë të gjithë pensionin e tyre për të shlyer faturat e energjisë. Çdo ditë në sportelet e OSSH paraqiten pensionistë, të cilët nuk kanë kurajën ta ndjekin problemin e tyre deri në fund dhe mjaftohen me ankesën tek arkëtaret dhe derdhin pensionin e tyre mujor për konsumin e energjisë elektrike. Pensionisti Halim Shërmadhi është një nga pensionistët që ka ngritur shqetësimin edhe për gazetën. Fatura e fundit që i është dashur pensionistit Shërmadhi për të shlyer ka qenë 15 mijë lekë. Por, ky nuk është rasti i vetëm pasi ka shumë pensionistë, të cilët edhe pse janë të vetëm në shtëpi dhe konsumi i energjisë për ta është i ulët, sërish janë të detyruar për të paguar fatura tepër të larta, të cilat ata i cilësojnë si abuzive dhe të pajustifikueshme për përdorimin e energjisë elektrike. “Shteti me njërën dorë na i jep lekët dhe me dorën tjetër na i merr”,- shprehen të indinjuar pensionistët. Halim Shërmadhi, një prej pensionistëve të Tiranës, ka shprehur për gazetën problemin që ka me pagimin e faturave të energjisë elektrike. “Në shtëpi jetoj vetëm me plakën, nuk kemi ndonjë konsum të madh, pasi vetëm dy persona jemi. Energjinë nuk e përdorim për ngrohje, pasi i kemi dhënë zgjidhje tjetër, edhe gatimi në familjen tonë është sa për dy pensionistë, por fatura e energjisë është sa për një familje me shtatë persona”,- ka pohuar Halim Shërmadhi për gazetën. Më tej pensionisti shton se muaji janar i këtij viti ka qenë një nga muajt më të keq për të, pasi fatura e energjisë ka kapur rekordin prej 15 mijë lekësh, faturë që atij nuk i kishte shkuar asnjëherë. “Nuk besoj se kam konsumuar energji deri në 15 mijë lekë dhe duhet të ketë ndonjë gabim nga ana e faturistëve që kanë parë sahatin. Përveç kësaj edhe kilovatët më janë llogaritur gabim. Mbi një javë e muajit dhjetor mua më janë llogaritur me çmimin e rritur që duhet të fillonte në muajin janar. U ankova këtu ku paguhen faturat dhe punonjëset më thanë që duhet të dërgoja një ankesë. Nuk e di si mund ta ndjek këtë problem, pasi nuk kam fuqi as të rri nëpër dyert e institucioneve”,- është shprehur Shërmadhi.

Asnjë hap për dëmshpërblimin e dhjetorit

Ndonëse kanë kaluar 2 muaj qysh se OSSH grabiti hapur mijëra qytetarë, duke ua çuar faturat e energjisë elektrike për muajin dhjetor me çmimet e muajit janar, pra rreth 13 % më tepër, ende nuk është marrë asnjë masë për dëmshpërblimin e qytetarëve. Vetë OSSH, pa pikën e turpit, e pranoi se në faturat e dhjetorit ishte zbatuar skema e rritjes së çmimit të energjisë, që ishte aplikuar për muajin janar. Qytetarët tani kërkojnë tu kthehen mbrapsht sa më parë çdo qindarkë e grabitur nga monopoli OSSH, pa pasur nevojë për ankesa, pasi grabitja është bërë në mënyrë të unifikuar për të gjithë. Konsumatorët gjithashtu kërkojnë që shuma e grabitur ose të kthehet fizikisht ose të zbritet në faturat e muajve në vijim. Ata kërkojnë garanci që kjo vjedhje nuk do të përsëritet më, ndaj hetimi, gjykimi dhe ndëshkimi i monopolit OSSH dhe zyrtarëve të tij, lidhur me këtë vjedhje është detyrim ligjor dhe moral. Me qindra - mijëra qytetarë janë ankuar për shumat marramendëse të faturave dhe ende nuk është marrë asnjë përgjigje, përpos një deklarate të pashpresë të ministrit Prifti. Mirëpo, ndonëse vjedhja e OSSH po merr përmasa të jashtëzakonshme, Prokuroria e Përgjithshme vijon të heshtë dhe ende nuk ka bërë asnjë hap për të nisur hetimet. Përveç politikës, janë edhe shumë qytetarë që i kanë kërkuar Prokurorisë të bëjë detyrën.

Ky lajm është publikuar: 12/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›