E Diel, 1 Nëntor 2026

MASH: 3 mijë mësuesit s do të largohen nga puna

Autori i Lajmit: red.
“Asnjë arsimtar nuk do të largohet nga puna”, - tha dje, ministri i Arsimit dhe i Shkencës, Fatos Beja, pas publikimit disa ditë më parë të një deklarate për largimin e 3 mijë arsimtarëve, të bërë nga Sindikata e Arsimit të Shqipërisë. Duke e konsideruar publikimin e udhëzimit nga sindikata e arsimit “të instrumentalizuar dhe jo në funksion të së vërtetës”, Beja pohoi se nuk ka asnjë vendim që do të largojë arsimtarët me kontratë me një afat të caktuar. Sipas ministrit, i vetmi vendim i Këshillit të Ministrave ka qenë për të gjithë mësuesit e sistemit parauniversitar që kanë qenë në listën e pritjes me kontrata nga 15 shtatori – 31 dhjetor. Për këta mësues do të përcaktohen orët në bazë të nevojave që mund të kenë shkollat e sistemit parauniversitar. “Të gjithë arsimtarët që kanë qenë pjesë e sistemit me emërime definitive kanë qenë, janë dhe nuk kanë lidhje fare me këtë dukuri. Nuk është marrë asnjë vendim për t u larguar, nuk është larguar asnjë arsimtar”,- tha Beja.

Medalje e artë për dy nxënës shqiptarë
Ministri i Arsimit dhe i Shkencës, Fatos Beja, priti dje dy nxënës të talentuar, Aurora Kapo, 7 vjeç, nga Durrësi, fituese e Festivalit Evropian për Fëmijë dhe Drit Sokoli, 19 vjeç nga Shkodra, fitues i Medaljes së Artë për shkollat e mesme për vitin 2008. Në një fjalim të shkurtër për mediat, pasi uroi të rinjtë në zyrën e tij dhe i dorëzoi Medaljen e Artë nxënësit Drit Sokoli, ministri Beja u shpreh se ”me shumë kënaqësi, në MASH ne presim dy fëmijë, dy fitues, dy nxënës të cilët me meritat e tyre kanë nderuar veten, familjen, mësuesit e tyre, të gjithëve ne. Aurora e cila ka dalë kampione në Evropë, shumë para vendit të dytë, që ishte Franca. Një këngëtare e vogël, e cila ne të gjithë besojmë, do të na nderojë edhe në konkurrime të tjera ndërkombëtare. Driti ka marrë medaljen e artë duke u dalluar ndërmjet të gjithë maturantëve të Shqipërisë për rezultatet e arritura. Ne presim që Driti përsëri të jetë një përfaqësues i denjë i brezit të tij që edhe ai të jetë nder për të gjithë ne, për veten, familjen dhe mësuesit e tij”, - përfundoi ministri. Ministri Beja përgëzoi kompozitorin e këngës fituese si dhe mësuesit e prindërit e pranishëm dhe shtoi se dyert e Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës do të jenë gjithmonë të hapura për nxënësit dhe studentët e talentuar në mësime apo në arte për t i promovuar ata si shembuj për brezin e tyre, por edhe për brezat që do të vijnë. Dy nxënësit morën dhurata simbolike: një Lap-top dhe një set librash shkencorë për medalistin dhe një set me libra për fëmijë për këngëtaren e vogël.

Ky lajm është publikuar: 12/03/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›