E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja e 38-vjeçarit, pas sherrit për fëmijët

Autori i Lajmit: red.
Policia e Tiranës zbardh motivet e vrasjes së 38-vjeçarit nga Korça dy ditë më parë pranë ish-parkut të autobusëve në kryeqytet. Një grindje e hershme e fëmijëve të viktimës me ata të autorit të dyshuar të vrasjes, kanë shërbyer si motiv për ekzekutimin e Shpëtim Xhelollarit, 38 vjeç, lindur në Korçë dhe banues në Tiranë. Disa orë pas ngjarjes, policia ka vënë në pranga autorin e dyshuar, Shkëlqim Alliu, 42 vjeç, lindur në Përmet dhe banues në Tiranë. Burimet pohojnë se 42-vjeçari nuk ka pranuar krimin por hetimet e policisë e kanë çuar atë në qeli. Ngjarja e rëndë ka ndodhur dy net më parë rreth orës 19.10 dhe efektivat e Komisariatit Nr.2 Tiranë kanë shkuar menjëherë në rrugën “Babë Rexha” në Tiranë, ku ka gjetur vdekjen e menjëhershme një shtetas. Burime zyrtare nga policia pohojnë, paraprakisht, se dyshohet që motivi kryesor i kësaj ngjarjeje është për motive të dobëta, pasi viktima dhe autori janë konflikuar rreth 6 muaj më parë, për grindjen e herëpashershme të fëmijve të tyre të mitur. Ndaj autorit të dyshuar të vrasjes, u mor masa e menjëhershme e arrestit në flagrancë për konsumim të veprave penale të “Vrasjes me paramendim” dhe të “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake e municioneve”, parashikuar nga nenet 78 dhe 278/ 2 të Kodit Penal.
Ndërkohë në cilësinë e provës materiale, autorit të dyshuar iu gjend pas një kontrolli të imtësishëm në banesë, një automatik model 56 me 20 fishekë. Materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tij, do t i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për hetime të mëtejshme.

Ky lajm është publikuar: 12/03/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›