E Diel, 1 Nëntor 2026

Makinat me xhama të errët në shënjestër të policisë

Autori i Lajmit: red.
Makinat me xhama të errët nuk do të qarkullojnë më të rrugët e kryeqytetit. Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë ka filluar një aksion në drejtim të evidentimit, kontrollit dhe ndëshkimit të drejtuesve të mjeteve, të cilët në kundërshtim me kërkesat e Kodit Rrugor, qarkullojnë duke përdorur sinjalistikën dhe simbole të Policisë së Shtetit. Burime zyrtare nga policia bëjnë të ditur se për këtë qëllim, strukturat e Policisë Rrugore në bashkëpunim me shërbimet e Rendit, kanë vendosur të organizojnë kontrolle të vazhdueshme për ndjekjen dhe realizimin e detyrave të përcaktuara, duke ndëshkuar ato drejtues mjetesh në pronësi të qytetarëve apo administratës shtetërore, të cilët qarkullojnë në kundërshtim me legjislacionin rrugor, të pajisur me simbole të policisë si: sisteme të sinjalizimit pamor (fenerina dhe zanor sirena), duke i mbajtur në vende të dukshme tabela dore apo autorizime në kundërshtim me ligjin. ”Në kuadër të rritjes së sigurisë rrugore dhe të parandalimit të veprimtarisë kriminale, kërkohet respektimi dhe zbatimi i kërkesave të legjislacionit rrugor, për të mos mbajtur në përdorim, mjete me xhama të riveshura apo të errësuara”, - paralajmëron policia.
Aktualisht, nga shërbimet e Qarkullimit Rrugor Tiranë në bashkëpunim me shërbimet e Rendit, janë ngritur pika kontrolli në Tiranë dhe Kavajë në qytet dhe në linja, ku janë konstatuar 90 drejtues automjetesh, kryesisht drejtues të policive private, të cilët në kundërshtim me Kodin Rrugor qarkullojnë me fenelina, xhama të riveshura apo tabela dore policie. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës pohojnë se ndaj drejtuesve të mjeteve, të cilët qarkullojnë duke përdorur sinjalistikën e Policisë së Shtetit, do të vendoset masa adminitrative gjobë, e cila varion nga 2000 – 5000 lekë, deri në pezullim të lejes së drejtimit. Madje, sipas policisë, mësohet se për ata drejtues automjetesh që kundërshtojnë zbatimin e kësaj kërkese ligjore, do të bëhet shoqërimi në komisariat i drejtuesve të automjeteve si dhe do të ndiqet procedimi administrativ në bazë të nenit 190 të Kodit Rrugor të Republikës.
Ky lajm është publikuar: 12/03/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›