E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapen me 600 gr heroinë, arrestohen dy shtetas

Tiranë

Dy persona janë vënë në pranga nga specialistët e seksionit Kundër Drogës, pranë policisë së kryeqytetit, pasi janë kapur me afro 600 gr lëndë narkotike e llojit të dyshuar heroinë. Operacioni është koduar “Fresku”, pasi pikërisht në atë zonë mësohet të jenë ndaluar me sasinë e drogës dy të rinjtë Endri Balili, 22 vjeç, dhe Henri Shehu, 20 vjeç, të dy lindur e banues në Tiranë. Sipas burimeve zyrtare policore, këta shtetas u kapën në flagrancë në afërsi të fshatit Linzë në Tiranë. Përgjatë momenteve të ndërhyrjes së strukturave të antidrogës, autorët e dyshuar kanë tentuar të hedhin nga automjeti lëndën narkotike e dyshuar e llojit heroinë. Po sipas burimeve, policia ra në gjurmë të dy poseduesve të drogës, falë një pune gjurmuese disaditore, nga ku u arrit jo vetëm kapja, por dhe dokumentimi i veprimtarisë së tyre në drejtim të “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”. Gjatë momentit të ndalimit, këtyre dy shtetasve iu sekuestrua nën cilësinë e provës materiale 559 gram lëndë e dyshuar narkotike e llojit heroinë, si dhe aparate celularë dhe një automjet tip “Honda”, me targa TR 6960 M. “Vazhdon puna intensive hetimore në drejtim të zbardhjes tërësisht të veprimtarisë së tyre kriminale apo personave të tjerë të implikuar”, - vijojnë burimet zyrtare policore, duke përfunduar se “materialet i kaluan prokurorisë, për veprën penale të “shitjes së lëndëve narkotike”, parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›