E Shtunë, 31 Tetor 2026

Abuzimet me pensionet e minatorëve, arrestohen 4 persona



Ish-zyrtari dhe tre ish-punonjësit e Sigurimeve Shoqërore nxirrnin pensione të parakohshme kundrejt vlerës 150 000 lekë për person

Katër ish-punonjës të Sigurimeve Shoqërore në kryeqytet janë vënë dje në pranga për abuzime në dhënien e pensioneve të parakohshme, duke falsifikuar dokumentacionin kundrejt shumave të konsiderueshme parash. Muaj më parë ishte depozituar një denoncim i drejtuesit të Sigurimeve Shoqërore për kryeqytetin, për abuzim në dhënien e pensioneve për 200 raste, duke depozituar edhe dokumentet përkatëse pranë prokurorisë së Tiranës si dhe duke hedhur dyshime për punonjësit apo ish-punonjësit e Sigurimeve. Nga hetimet disamujore të organit të akuzës, seksionit të Task-Forcës në prokurorinë e Tiranës, rezultoi se tre ish-punonjësit e Sigurimeve Shoqërore për kryeqytetin si dhe një ish-zyrtar i kuadrit në minierën e Mushqetës, kishin abuzuar me skemën e dhënies së pensioneve të parakohshme. Falë këtyre të dhënave, prokurorët firmosën urdhër-arrestet, duke finalizuar operacionin e koduar “Dosja e hapur”, si dhe duke vënë në pranga 4 persona. Katër shtetasit e arrestuar janë Fatbardha Sela, 57 vjeçe, lindur në Dibër dhe banuese në Tiranë, ish-përgjegjëse e zyrës së Sigurimeve Shoqërore në Tiranë, aktualisht me detyrë specialiste pranë Institutit të Kujdesit Shëndetësor Tiranë, Flora Ceka, 41 vjeçe, lindur e banuese në Tiranë, ish-inspektore e Verifikimit të Pensioneve në Institutin e Sigurimeve Shoqërore Tiranë, aktualisht me detyrë ekonomiste pranë një firme private, Zija Mema, 70 vjeç, lindur e banues në Sauk Tiranë, ish-nspektor pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Tiranë, si dhe Agim Mema, 57 vjeç, banues në Laprakë, Tiranë, ish-kryetari i degës së kuadrit në minierën e Mushqetës, aktualisht me detyrë punonjës i Albminierës pranë Ministrisë së Ekonomisë dhe funksionar pranë Sindikatës së Minatorëve. Akuzat që rëndojnë mbi këta shtetas janë “korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “shpërdorim detyre”, “falsifikim dokumentesh në bashkëpunim, më shumë se një herë”, vepra penale të parashikuara nga nenet 259, 25, 248 dhe 186/2 të Kodit Penal.

Hetimi

Prokuroria e Tiranës kishte 6 muaj që po hetonte katër shtetasit e arrestuar dje, pas denoncimeve që kanë ardhur nga shtetas konkretë, por edhe drejtuesi i Drejtorisë së Sigurimeve Shoqërore për Tiranën. Seksioni i Task-Forcës pranë prokurorisë së Tiranës mundi që gjatë kësaj kohe të dokumentonte plotësisht veprimtarinë kriminale të tre ish-punonjësve të Sigurimeve Shoqërore dhe ish-zyrtarit të minierës së Mushqetës, funksionar në sindikatë dhe aktualisht punonjës në Ministrinë e Ekonomisë. Sipas burimeve zyrtare policore, shtetasit Agim Mema, Zija Mema, Fatbardha Sela e Flora Ceka, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer veprime të kundraligjshme, pasi duke qenë në funksione shtetërore, kanë prodhuar skema të nxjerrjes në pension të parakohshëm të shtetasve të ndryshëm, me dokumente të falsifikuara. “Pas plotësimit të dokumentacionit të falsifikuar për pension, të dyshuarit u lidhnin pension sikur ishin të punësuar pranë minierës së Mushqetës, ku këtë aktivitet e kryenin kundrejt shumave të parave 150 000 lekë për çdo shtetas”, - vijojnë burimet zyrtare policore. Referuar të njëjtave burime zyrtare, operacioni vazhdon dhe po punohet për thellimin e mëtejshëm të hetimeve apo identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. “Materialet e përpiluara për arrestimin e personave do t’i kalojnë për kompetencë Njësisë së Përbashkët Hetimore Kundër Krimit Financiar dhe Korrupsionit në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë”, - përfunduan burimet zyrtare të policisë së Tiranës.

U arrestuan

* Fatbardha Rahman Sela, 57 vjeç, lindur në Dibër dhe banuese në Tiranë, ish-përgjegjëse e zyrës së Sigurimeve Shoqërore në Tiranë, aktualisht me detyrë specialiste pranë Institutit të Kujdesit Shëndetësore Tiranë

* Flora Halim Ceka, 41 vjeç, lindur e banuese në Tiranë, ish-inspektore e Verifikimit të Pensioneve në Institutin e Sigurimeve Shoqërore Tiranë, aktualisht me detyrë ekonomiste pranë një firme private

* Zija Ramiz Mema, 70 vjeç, lindur e banues në Sauk Tiranë, ish-inspektor pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Tiranë

* Agim Ramazan Mema, 57 vjeç, banues në Laprakë Tiranë, ish-kryetari i degës së kuadrit në minierën e Mushqetase, aktualisht me detyrë punonjës i Albminierës pranë Ministrisë së Ekonomisë dhe funksionar pranë Sindikatës së Minatorëve.

Akuzat

“Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”

“Shpërdorim detyre”

“Falsifikim dokumentesh në bashkëpunim, më shumë se një herë”

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›