E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabitje në Tiranë; Personi i maskuar rrëmben 5 milionë lekë nën kërcënimin e armëve

Një filial banke është grabitur nga një person i armatosur dhe i maskuar, i cili ka arritur t’i shpëtojë policisë duke marrë me vete 500 mijë lekë. Ngjarja ndodhi ditën e djeshme në Tiranë, në zonën e Unazës, në rrugën “Bardhyl”. Sipas burimeve të policisë, rreth orës 14:20 minuta, në filialin e bankës “Raiffeisen” ka hyrë një person i armatosur me një pistoletë të tipit “TT”. Ai ka qëlluar në ajër një herë me pistoletë. Më pas është afruar drejt arkëtares dhe e ka kërcënuar atë se do ta vriste, nëse nuk i dorëzoheshin të gjitha lekët që ajo kishte në arkë. Punonjësja e trembur, i ka dhënë grabitësit shumën e parave që ndodheshin aty, e cila sipas policisë, është rreth 500 mijë lekë. Më pas duke kërcënuar nën tytën e armës, personi i armatosur ka arritur që të largohet. Është lajmëruar policia, e cila ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe ka nisur nga puna për përcaktimin e identitetit dhe arrestimin e autorit.

Ngjarja

Personi i armatosur është futur në filialin e bankës “Raiffeisen” që ndodhet në rrugën “Bardhyl” në zonën e Unazës, ditën e djeshme rreth orës 14:20. Sipas dëshmitarëve të ndodhur në vendngjarje, “në bankë u fut një person i maskuar me një pistoletë të tipit “TT”, i cili qëlloi në ajër një herë dhe u drejtua tek sporteli i bankës”. Për fat të mirë, nga plumbi i bërë rikoshetë, nuk ka pasur dëmtime apo plagosje në njerëzit që ndodheshin brenda. Ai u drejtua për tek arkëtarja, duke i bërtitur dhe drejtuar asaj pistoletën se nëse ajo nuk do të dorëzonte të gjitha lekët që kishte në arkë, atëherë ai do ta vriste. Kërcënimet e tij shkaktuan panik edhe tek punonjësit e tjerë të bankës. Arkëtarja i dha më pas personit të armatosur të gjithë shumën e parave, të cilën ajo kishte arritur të grumbullonte në punë gjatë ditës. Sipas personave në vendngjarje, pas marrjes së parave grabitësi doli me shpejtësi nga banka duke kërcënuar me armë dhe duke u larguar me vrap. Grabitësi arriti kështu që të largohej me shpejtësi në rrugicat përreth, duke iu shmangur edhe arrestimit.

Hetimet

Policia e Tiranës ka shkuar menjëherë në vendngjarje. Pasi kanë rrethuar zonën, kanë filluar nga këqyrja e vendit të ngjarjes. Është krijuar një grup pune, i cili ka nisur nga puna për mbledhjen e dëshmive nga personat e ndodhur në vendngjarje. Sipas policisë, shuma e parave e marrë nga grabitësi është rreth 500 mijë lekë të reja. Hetuesit po grumbullojnë provat dhe gjurmët, për të arritur në përcaktimin e identitetit të autorit dhe për arrestimin e tij. Në vendngjarje u gjet edhe një gëzhojë, e cila ishte aty si pasojë e qitjes nga arma e grabitësit, një pistoletë të tipit “TT”. Policia dyshon se në këtë grabitje ka pasur edhe bashkëpunëtorë të tjerë, nga të cilët mund të jetë ndihmuar dhe po heton në lidhje me këtë pistë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›