E Diel, 1 Nëntor 2026

Rebelimi; Dëshmitarët, debat me gjyqtaren për thirrjen në gjyq

Dëshmitarët e thirrur për të dëshmuar për të pandehurit e “Bandës së Lushnjes” e kanë mbyllur me debat seancën disaminutëshe të zhvilluar dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Të thirrur nga gjykata, 7 prej tyre me dëshirë dhe 4 të shoqëruar me forcë nga policia, janë paraqitur për të dëshmuar para gjykatës. Por, mungesa e një avokati bëri që kjo seancë të shtyhej, duke bërë që disa prej dëshmitarëve të rebelohen dhe t’i drejtohen gjykatës: “Kemi fëmijë për të ushqyer, nuk kemi para për të ardhur sa herë të na kërkoni në gjykatë. Mos na thërrisni më, se nuk vijmë për të dëshmuar”. Njëri prej tyre, i ardhur nga Fieri, i deklaroi gjyqtares se kishte katër fëmijë për të ushqyer dhe nuk do i linte paratë rrugëve për të ardhur në gjykatë e për të dëshmuar. Ai i kërkoi gjykatës të mos e thërriste më, pasi nuk kishte ndërmend të paraqitej si dëshmitar. Gjatë seancës, përveç avokatit mungonin edhe të pandehurit, të cilët prej disa seancash kanë refuzuar të paraqiten në gjykatë, duke u përfaqësuar vetëm nga avokatët e tyre. Dëshmitarët janë thirrur nga gjykata, për të deklaruar gjithçka dinë mbi episodet kriminale, për të cilat akuzohen të pandehurit. Gjithashtu, në seancën e djeshme pritej të vinte edhe një përgjigje nga Prokuroria e Lushnjes, lidhur me faktin nëse Gramoz Selmani është person nën hetim dhe nëse mbi të rëndojnë akuza. Nëse ky shtetas nuk do rezultojë person nën hetim dhe i akuzuar për dy vrasje siç pretendon mbrojtja, atëherë prokurori Trenova do të lexojë deklarimet e dhëna prej tij në ambasadën tonë në Greqi, lidhur me momentin kur ka mbetur i vrarë Ramadan Shkurti. Sipas deklarimeve të lexuara nga prokurori një seancë më parë, Selmani mësohet të ketë qenë në lokal, kur Aldo Bare e vëllai i tij kanë sulmuar vëllezërit Daja, nga ku mbeti i plagosur Artur Daja, ndërsa i vrarë Ramadan Shkurti. Madje, në këtë shkëmbim zjarri ka mbetur i plagosur edhe vetë Selmani, i akuzuar nga avokatët dhe të pandehurit si vrasës i dyfishtë.

Somario

Njëri prej tyre, i ardhur nga Fieri, i deklaroi gjyqtares se kishte katër fëmijë për të ushqyer dhe nuk do i linte paratë rrugëve për të ardhur në gjykatë e për të dëshmuar. Ai i kërkoi gjykatës të mos e thërriste më, pasi nuk kishte ndërmend të paraqitej si dëshmitar

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›