E Diel, 1 Nëntor 2026

Ulen temperaturat, shtohen të prekurit nga virozat

Ulen temperaturat, shtohen virozat e stinës. Infeksionet respiratore, ose të njohura ndryshe si infeksionet e frymëmarrjes janë problemi më i madh nga e cila do të vuajmë të paktën deri në muajin dhjetor. Janari do të shënojë edhe nisjen e sezonit gripal për vitin 2010, ndërsa situata aktuale e krijuar, ende mban emrin "virozë". Më të prekurit deri tani janë fëmijët, mbi 200 raste çdo 24 orë paraqiten në urgjencën e pediatrisë, një pjesë e mirë kërkojnë ndihmë te mjeku i familjes, ndërkohë që numri nuk mbetet i pakët te të rriturit apo moshat e treta. Të sëmurët kronikë si dhe personat me imunitet të ulët kanë qenë personat që u prekën të parët nga virozat e stinës. Edhe sipas mjekëve, uljet e menjëhershme të temperaturave, pakësimi i vitaminës D, si dhe sezoni janë stimulues për virozat, ndërkohë që organizmi i fëmijëve është ai që reagon më shpejt, si dhe në të njëjtën kohë është më i ndjeshëm. Përveç kujdesit për t‘u veshur më trashë mjekët këshillojnë edhe marrjen e vaksinës së gripit të zakonshëm.

Dozat

Janë hedhur në treg rreth 70 mijë doza vaksinash për gripin e zakonshëm, ndërkohë që sezoni për kryerjen e këtyre vaksinave është spostuar deri në muajin dhjetor. Sipas shqyrtimit epidemiologjik të Institutit të Shëndetit Publik, problemet kryesore me gripin e zakonshëm nisin në muajin janar, shkurt duke përfunduar me marsin. Vaksinat nisin të përgatisin sistemin imunitar ndaj gripit dy javë pas marrjes së saj, ndërkohë që mbështjell organizmin me mbrojtje një muaj pas marrjes së saj. Kjo është koha e nevojshme për të krijuar efektivitet dhe është një nga arsyet pse kërkohet të merret të paktën deri në muajin nëntor. Por veç kësaj, një sërë këshillash rekomandohen nga mjekët dhe specialistët e Shëndetit Publik. Ushqimi i shëndetshëm, pushimi, qetësimi, gjumi, përdorja e vitaminave apo shtesave ushqimore janë tepër të rëndësishme për të mbajtur në kontroll dhe në gjendje të mirë sistemin imunitar. Ndërkohë që vaksina është ajo që na mbron me një efektivitet edhe më të madh.

Virozat

Konkretisht shqetësimet nisin me temperaturë të lartë, dhembje të kyçeve, probleme me aparatin e frymëmarrjes, rrugët e sipërme respiratore. Probleme të tjera janë shqetësime pastro-intestinale, kollë, infeksione respiratore.

Sipas mjekëve, kolla dhe infeksionet respiratore janë tipike të kësaj viroze. Madje problemet me sëmundjet e aparatit të frymëmarrjes kanë nisur që në muajt e nxehtë, e me ardhjen e vjeshtës janë shtuar edhe më shumë.

Në buletinin e fundit informativ, lidhur me monitorimin e situatës për qarkullimin e virozëve në vendin tonë, Instituti i Shëndetit Publik ka sqaruar se muajt e fundit infeksionet respiratore kanë ardhur drejt rritjes, dhe më problematike situata ka qenë në moshat pediatrie. Sipas ISHP-së, fluksi i pacientëve në pediatri dhe mostrat e pakta që dërgohen në ISHP për ekzaminim nuk bëjnë të mundur kontrollin e të gjithë situatës dhe monitorimin e duhur lidhur me viruset që prekin më tepër fëmijët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›