E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fushë-Bulqizë, 700 nxënës nisin ditën e parë të shkollës

Pas një odiseje të gjatë njëmujore, nga hapja e shkollave të arsimit parauniversitar në vendin tonë, ka nisur mësimi edhe për 700 nxënësit e shkollës 9-vjeçare Fushë-Bulqizë. Shkak i vonesës në hapjen e shkollës është bërë godina shkollore, e cila është në rikonstruksion e sipër, por janë krijuar disa ambiente për nisjen e procesit mësimor. Punimet e nisura nuk kanë përfunduar ende, edhe pse ata duhej të përfundonin gjatë muajve të verës, kur nxënësit vijonin pushimet dhe koha në dispozicion të firmës tenderuese ka qenë e mjaftueshme. Por nga drejtuesit e komunës Fushë-Bulqizë, si autoriteti kontraktor i këtij investimi, është pohuar se çelja e fondit është bërë me vonesë nga ana e MASH-it, gjë që ka shkaktuar edhe mospërfundimin në kohë të punimeve në shkollë. Ndërkohë, burime nga shkolla bëjnë me dije se aktualisht edhe pse ajo është hapur, punimet janë realizuar nga firma tenderuese në masën rreth 50% të tyre. Madje parashikohet që në realizimin e plotë të tyre do të duhen jo ditë dhe javë, por edhe muaj të tjerë. Nëse në ambientet e brendshme ka përfunduar puna për shtrimin e pllakave, vendosjen e dyerve, lyerjen e klasave etj., vazhdojnë punimet në fasadën e jashtme të hyrjes, si dhe ende nuk kanë nisur punimet për ndërtimin e çatisë të planifikuar në projekt-preventiv. Një situatë e tillë kur në këtë shkollë edhe punohet edhe mësohet, paraqet jo pak rrezik për fëmijët të cilët mund të aksidentohen për shkak të këtyre punimeve, gjë që përbën shqetësim edhe për drejtoreshën e kësaj shkolle, Bukurie Lami. Gjithsesi hapja me vonesë prej një muaji e shkollës, do vërë në pozita të vështira jo vetëm nxënësit, që për të zëvendësuar orët e humbura do t‘u duhet të bëjnë mësim në çdo fundjavë, por edhe stafin pedagogjik dhe drejtues të saj, si në realizimin e plan programeve mësimore, ashtu edhe në përcaktimin e datës së mbylljes të semestrit të parë.

Hy.Li.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›