E Diel, 1 Nëntor 2026

Obama: Bota po ndryshon

Nga Express më 17 shkurt 2011 në ora 14:30

Presidenti i SHBA-së, Barack Obama, u ka tërhequr vërejtjen sunduesve autokratë, “qofshin miq apo armiq”, se ata nuk mund ta mbajnë pushtetin me frikësim e dhunë dhe se ata duhet ta dinë se “bota po ndryshon”.

Në një konferencë për shtyp, që nuk ishte e paraparë, ai e mbrojti reagimin e Shtëpisë së Bardhë ndaj revolucionit në Egjipt.

“Ju nuk mund ta mbani pushtetin nëpërmjet detyrimeve. Në një mënyrë, në secilën shoqëri duhet të ekzistojë marrëveshja. Kjo është veçanërisht e vërtetë në këtë epokë të re, ku njerëzit mund të komunikojnë jo vetëm nëpërmjet qeverive të centralizuara ose televizioneve të udhëhequra nga shteti, por ata mund të kenë mbështetje në ‘smartphone’ ose në Twitter dhe të mobilizojnë qindra-mijëra njerëz”, tha Obama.

Revolucioni në Egjipt, që u bë pas kryengritjeve të ngjashme në Tunizi, i ka inspiruar demonstruesit për demokraci në Bahrejn dhe Jemen dhe ka nxitur thirrje për aksion në Siri dhe Libi.

Shtëpia e Bardhë kishte pasur dilema se si të reagojë ndaj kryengritjes në rritje në Egjipt, që përbëhej vetëm nga thirrja e tyre për qetësi dhe përmbajtje në pjesën e shërbimeve të sigurisë.

Zyrtarët e administratës, përfshirë edhe presidentin Barak Obama, dukej se ishin të pasigurt se me sa forcë ata do të duhej të kërkonin nga Mubaraku t’u nënshtrohej kërkesave dhe të tërhiqej menjëherë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›