E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi dekoroi pjesëtarët e kontingjentit “Shqiponja 1”

Nga Express më 17 shkurt 2011 në ora 16:12

Presidenti i Shqipërisë, njëherësh komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Bamir Topi, ka dekoruar pjesëtarë të kontingjentit “Shqiponja 1”, i cili prej gjashtë muajve ka shërbyer në Kandahar të Afganistanit përkrah forcave speciale amerikane,
me motivacionin për profesionalizmin, përkushtimin dhe kontributin e dhënë në kryerjen e detyrave operacionale e paqeruajtëse.

Në ceremoninë zyrtare të zhvilluar me këtë rast të enjten në Pallatin e Brigadave ishin të pranishëm shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral major Maksim Malaj, komandanti i Forcave Tokësore, gjeneral brigade, Viktor Berdo, dy ish-presidentët, Rexhep Meidani dhe Alfred Moisiu, ish-ministrat e Mbrojtjes së Shqipërisë, deputetë, ambasadorët e 19 vendeve anëtare të NATO-s, rezidentë në Shqipëri, etj.

Me këtë rast presidentit Topi dekoroi nënkolonelin Dritan Demiraj me Medaljen e Artë të Shqiponjës, kapiten Ernest Mariakaj, rreshter Albert Kucaj, rreshter Astrit Lica dhe tetar Gëzim Toska me Medaljen “Për Shërbime Ushtarake”.

Në fjalën përshëndetëse, kreu i shtetit shqiptar vlerësoi lart kontributin e kontingjentit “Shqiponja 1” në shërbim të ruajtjes së paqes dhe të vlerave demokratike, duke dëshmuar profesionalizëm të lartë, përkushtim maksimal dhe vlera të rralla humane.

Gjithashtu, presidenti Topi vuri në dukje se kontributi i çdo ushtaraku shqiptar dhe imazhi për Shqipërinë i ndërtuar prej tyre ka luajtur një rol themelor në krijim e bindjes së plotë mes vendeve të tjera anëtare të NATO-s për pjekurinë e vendit për anëtarësim në Aleancën më të madhe të paqes dhe sigurisë në botë.

Ndërkaq, nënkolonel Dritan Demiraj ka thënë se kontingjenti “Shqiponja 1” ka përmbushur me sukses të plotë misionin, duke nderuar kombin shqiptar dhe ushtrinë shqiptare.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›