Seri e re e sulmeve në Kabul

Zyrtarët afganë njoftuan se shtatë persona janë vrarë dhe afro 20 të tjerë janë plagosur gjatë një serie të sulmeve, përfshirë edhe një sulm vetëvrasës me makinë bombë, në kryeqytetin afgan, Kabul.
Sulmet u ndërmorën vetëm disa orë pasi presidenti amerikan, Barack Obama, u largua nga Afganistani, pas nënshkrimit të marrëveshjes për partneritet strategjik të Shteteve të Bashkuara dhe Afganistanit, me presidentin Hamid Karzai.
Talebanët e kanë marrë përgjegjësinë për këto sulme, duke thënë se ato ishin bërë si përgjigje ndaj vizitës së Obamës.
Raportohet se persona të armatosur të veshur me ferexhe e kanë sulmuar kompleksin që shfrytëzohet nga organizatat ndërkombëtare perëndimore.
Forcat e sigurisë së Afganistanit i kanë vrarë të gjithë të armatosurit pas disa orëve të luftimeve.