Vriten dy deputetë somalezë

Shtatë persona, përfshi edhe dy deputetë, mbetën të vrarë në një sulm vetëvrasës në qendër të Somalisë, informuan autoritetet e qytetit të Dusa Marebit.
Dëshmitarët thanë për korrespodentin e BBC-së se sulmi shënjestroi një grup prej 20 politikanësh, të ulur në ambientet e jashtme të një kafeje.
Ata kishin udhëtuar për t’u takuar me banorët vendas të Dusa Mareb, një qytet i krahinës së Galgadudit, e cila kontrollohet nga forcat paraushtarake që përkrahin qeverinë qendrore.
Grupi islamist i Al-Shabab mori përsipër përgjegjësinë për atentatin. Ndonëse organizata e lidhur me Al-Qaedën është nën presion nga goditjet e disa forcave ushtarake në disa fronte në Somali, terroristët vazhdojnë të ndërmarrin aksione të ndryshme ndëshkuese në vend.
Sipas informacioneve, midis të plagosurve në këtë sulm ishte edhe ish-ministri i Brendshëm, Ahmed Abdi Salam.