Raporti i BE: Gjeorgjia nisi konfliktin me Rusinë
Një raport i bërë nga BE mbi luftën vitin e kaluar midis Rusisë dhe Gjeorgjisë ka fajësuar Gjeorgjinë për fillimin e atij konflikti. Megjithëse sulmi erdhi pas muajsh të tërë provokimesh nga Rusia, të dyja vendet dhunuan të drejtën ndërkombëtare, thuhet në raport. Nga ana e saj, Rusia pranoi se raporti tregonte qartë dhe në mënyrë të pangatërrueshme përgjigjen e pyetjes se kush e nisi konfliktin e një viti më parë, ndërsa Gjeorgjia tha se investigimet kanë provuar se Rusia po përgatitej për luftë gjatë gjithë kohës. Në raport thuhet se rreth 850 persona u vranë në luftën e gushtit të vitit 2008, më shumë se 100000 të tjerë braktisën shtëpitë e tyre, 35 mijë prej të cilëve janë ende në "arrati". Raporti u krye nga Këshilli i Bashkimit Europian dhe u shkrua nga diplomatja zvicerane, Heidi Tagliavini, me ndihmën e 30 funksionarëve të lartë ushtarakë europianë, avokatë dhe ekspertë të historisë. Konflikti nisi në 7 gushtin e vitit 2008 kur Gjeorgjia nisi sulmet në Osetinë e Jugut në përpjekje për të marrë kontrollin e asaj që e quante krahinën e saj. Disa muaj më parë ishin regjistruar një sërë përplasjesh mes dy vendeve. Shumë shpejt rusët iu kundërpërgjigjën me zjarr sulmit të fqinjëve, madje arritën të hynin në rajonin e Gjeorgjisë. Konflikti zgjati pesë ditë dhe ndaloi pas një marrëveshjeje armëpushimi. Rusia u tërhoq, duke lënë prezencën e saj ushtarake në Osetinë e Jugut dhe Abkazi. "Bombardimi i kryeqytetit të Osetisë së Jugut, Tskhinvali, nga forcat e armatosura gjeorgjiane gjatë natës së 7-8 gushtit të vitit 2008 shënoi fillimin e një konflikti të armatosur në Gjeorgji", thuhet në raport. Më tej aty shkruhet se "shpesh shtrohet pyetja nëse përdorimi i forcës ishte i justifikuar nga ligjet ndërkombëtare dhe përgjigjja është jo". Po ashtu, në të thuhet se pretendimet e Gjeorgjisë se ka pasur një inkursion në shkallë të gjerë nga ushtria ruse në Osetinë e Jugut para shpërthimit të luftës nuk mund të vërtetohen, megjithatë aty thuhet se ka dëshmi që tregojnë për një prezencë të vogël ushtarake. Më tej shtohet se: nëse sulmi fillestar i Rusisë për t‘iu kundërpërgjigjur agresionit ndaj trupave të tyre në Osetinë e Jugut ishte i justifikuar, sulmet e mëvonshme të saj dhe hyrja në Gjeorgji shkuan përtej kufijve të mbrojtjes, duke dhunuar hapur ligjet ndërkombëtare. "Për më tepër shkatërrimet që pasuan pas marrëveshjes për armëpushimin nuk ishin të justifikuara për asnjë prej palëve". Vendet e Bashkimit Europian thanë në një deklaratë se raporti nuk ishte rreth ndarjes së fajit mes dy vendeve, por ata shpresojnë se ai do të "kontribuojë për të kuptuar më mirë origjinën dhe rrjedhën e konfliktit të vitit të shkuar". Rusia i njeh këto dy krahina separatiste, Osetinë e Jugut dhe Abkazinë, si të pavarura dhe pretendon t‘i mbrojë ato me çdo kusht. Megjithatë, Gjeorgjia dhe pjesa më e madhe e komunitetit ndërkombëtar i sheh ato si pjesë të Gjeorgjisë. Autori i raportit thotë se pretendimi i Rusisë "duhet të konsiderohet jo i drejtë sipas ligjeve ndërkombëtare dhe si dhunim i integritetit dhe sovranitetit territorial të Gjeorgjisë". Agjencitë humanitare deklarojnë se kriza e refugjatëve vazhdon ende në këtë rajon. Rikthimi i autoriteteve ruse në Osetinë e Jugut nuk ka lejuar dhjetëra mijëra gjeorgjianë etnikë që të rikthehen në shtëpitë e tyre në këtë rajon. Raporti paralajmëron gjithashtu se konflikti në Gjeorgji vazhdon të jetë kërcënim për paqen, duke destabilizuar rajonin dhe më tej.