E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama: Fillim i ri me Kubën

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndër mend të vënë në jetë "një fillim të ri" për sa u përket raporteve me shtetin komunist të Kubës. Presidenti amerikan, Barak Obama, e ka paraprirë me këtë qëndrim takimin e pestë të liderëve të Amerikave, të mbajtur dje në Trinidad dhe Tobago, ku merrnin pjesë 33 krerë shtetesh të këtij rajoni. Fjalët e Obamës, në samitin ku nuk merr pjesë Presidenti kuban, Raul Kastro (nuk është ftuar, siç ndodh rëndom), konfirmuan vullnetin e administratës së re amerikane për politikën e miqësisë mes të gjitha shteteve të rajonit.

Përpara se t‘u drejtonte fjalën liderëve të tjerë të kontinentit amerikan, Obama dhe Presidenti venezuelian Hugo Çavez u takuan dhe i shtrënguan duart njëri-tjetrit. "Cilido nga kombet tona ka të drejtë ta zgjedhë vetë rrugën që duhet ndjekur", u shpreh Obama në asamble. "Por të gjithë ne kemi përgjegjësinë të vërejmë se popujt e kontinentit amerikan duhet të zotërojnë aftësinë për të përmbushur ëndrrat në shoqëritë demokratike". "Në këtë kuadër, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë një fillim të ri me Kubën".

Obama mbërriti të premten në mbrëmje në Trinidad dhe Tobago për të marrë pjesë në Samitin e Amerikave, me rëndësi kyçe për zhvillimet politike dhe ekonomike në këtë rajon. Megjithëse nuk përfaqësohej në Samit nga Presidenti i saj, Raul Kastro, Kuba zuri më shumë vend në fjalën e numrit një të Shtëpisë së Bardhë. Obama tha se kishte ardhur çasti që të liheshin pas "dekadat e mosbesimit", duke vërejtur se ishin marrë tashmë masat për lehtësimin e udhëtimit drejt Kubës për të gjithë ata amerikanë që duan të vizitojnë apo t‘u dërgojnë para të afërmve të tyre. Të hënën, administrata amerikane urdhëroi heqjen e të gjitha kufizimeve për ata që donin të udhëtonin drejt Kubës apo donin t‘u dërgonin para të afërmve në këtë vend.

Dhe ky mund të jetë veç fillimi. "Po përgatis terrenin që administrata amerikane të nisë bashkëpunimin me qeverinë kubane mbi një gamë të gjerë çështjesh - duke nisur nga të drejtat e njeriut, liria e fjalës dhe reformat demokratike, te droga, emigracioni e problemet ekonomike", u shpreh Presidenti amerikan para liderëve të tjerë. "Më lejoni të jem i qartë: nuk jam i interesuar për bisedime të kryera për hir të të biseduarit. Besoj vërtet se mund t‘i zhvendosim marrëdhëniet SHBA - Kubë në një drejtim të ri".

Komentet e Presidentit Obama përfaqësojnë një ndryshim domethënës në politikën e jashtme amerikane, e cila ka mbetur e pandryshuar në pjesën më të madhe që prej vitit 1962, kur qeveria e Shteteve të Bashkuara ndërmori embargon tregtare ndaj Havanës. U bënë vetëm një ditë, pasi Presidenti kuban, Raul Kastro, deklaroi se ishte i gatshëm të diskutonte "gjithçka, gjithçka, gjithçka" me Shtetet e Bashkuara. Kastro tha të enjten në një samit të liderëve majtistë të Amerikës Latine se "jemi të përgatitur që të diskutojmë mbi gjithçka ku të duan ata - mbi të drejtat e njeriut, lirinë e shtypit, të burgosurit".

Ndërkaq për shtrëngimin e duarve mes Obamës dhe Çavezit, foli edhe zyra e shtypit të Presidentit venezuelian. Sipas saj, Obama iu afrua Çavezit për ta përshëndetur dhe e kishte quajtur "historik" takimin mes tyre. "Presidenti Çavez shprehu shpresën për ndryshimin e raporteve mes dy vendeve", bëri me dije zyra venezueliane e shtypit, duke cituar Çavezin, i cili i kishte thënë homologut të tij: "Para tetë vjetësh, po me këtë dorë, takova Bushin. Dua të jem miku juaj". Sipas agjencisë, pas këtyre fjalëve, Çavez, i cili një herë e ka quajtur "djall" Xhorxh Bushin, ishte falënderuar nga Obama.

Sipas një sondazhi të kryer nga rrjeti televiziv CNN gjatë ditëve të para të prillit, vendosmëria e Obamës për të përmirësuar raportet me Havanën mbështetet nga pjesa më e madhe e amerikanëve, 71 për qind e të cilëve janë pro rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Kubën.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›