Viktor Zhusti kthehet në teatër: Jam i aftë të aktroj
U kthye heshtur në Tiranë. Gjithçka që kishte lënë në këtë qytet u përkiste njëzet vjetëve të shkuara. Në ditët e para, teksa ecte rrugëve, edhe mund të mos e ketë ndier vështrimin kureshtar të njerëzve. Ndjesitë duhet të jenë përzierë keq. Të ndihej i "harruar"? Viktor Zhusti aktor, i mbetur në kujtimet e njerëzve nuk është ai i ditëve të sotme. Rrugëtimi dhe poshtëpërpjetat e këtyre viteve duket se më së shumti janë derdhur në flokët e thinjur. Shoqëron me një buzëqeshje gati mosbesuese reagimin kur përmend shifrën 67 për moshën e tij. Në portretin ku ndonjë rrudhë e ka shtrirë pushtetin, sytë e kaltër duket se janë po ata. Po ata që kishte edhe kur regjisorët i vinin emrin Albert "Shi në Plazh", Pirro, "Taulanti kërkon një motër", Luigj Gurakuqi "Nëntori i Dytë", Llane Bleta "Dhe vjen e një ditë" etj. Galeria e personazheve shtrihet shumë më tepër. Të gjithë të realizuar para viteve ‘90. Një film ndoshta mund të kishte qenë motivi i duhur që të mbushte valixhen e të merrte rrugën. Kërcitja në shkallët e drunjta që e ngjisin në Teatrin Kombëtar, është një tingull i rikthyer. Regjisori Gëzim Kame ka vendosur të thyejë heshtjen. E ka ftuar aktorin që pas njëzet vjetësh të ngjitet sërish në skenë. Do të luajë rolin e një psikanalisti në komedinë "Të gjithë me huqe". Prej dy javësh gjendet në sallën e provave. I është bashkuar kastit të zgjedhur të aktorëve; Roland Trebicka, Rajmonda Bulku, Genc Fuga, Ermela Teli, Olta Dako, Anila Muça. "Nuk i kam munguar unë skenës së teatrit, teatri më ka munguar mua. Teatri është pjesë e jetës sime, kështu që nuk mund ta konceptoj dot jetën pa të". Zhusti e ka të qartë përligjjen e mungesës. "Më erdhi dita të jem sipër skenës, gjithë këto vite e kam parë së jashtmi", shprehet Zhusti, i cili në Greqi ka përjetuar emocione teatri si spektator. Në oborrin e Teatrit Kombëtar e takojnë miq të vjetër. Një përqafim mirëseardhje e disa batuta të shkëmbyera lehtësisht. Në këtë rikthim Viktor Zhusti duhet të lajë hesapet edhe me imazhin e tij. Disa vite më parë, emri i tij përfundoi në titujt e kronikës së zezë. Nga Greqia vinte lajmi i "përzierjes" së aktorit në një çështje droge. I kushtoi katër vite burg. E ka pranuar dhe ka vendosur të përballet me këtë pjesë të jetës. A është ndier i paragjykuar në Tiranë? "Jo, nuk më kanë munguar miqtë, të afërmit, të dashurit, njerëzit me të cilët gjithmonë kam mundësinë të komunikoj. Ashtu siç thotë Lorent Baf ‘e duam shumë njëri-tjetrin, por kemi frikë, kemi mur brenda vetes për t‘u dhënë drejt tij‘. Jo vetëm unë që pata një problem, por edhe njerëzit e tjerë nuk e kanë këtë shqetësim në raport me mua. Marr prej tyre dhe u jap për aq sa marr. Për këtë u jam mirënjohës", thekson Zhusti. Përballja e parë me publikun do të jetë me një komedi. Më herët, rolet e tij kanë spikatur në këtë gjini. Nuk ishte një zgjedhje e tij, por e regjisorit Kame që mendoi t‘i jepte një rol të kësaj pjese. Po aq sa Viktori, çdokush do të gjejë nga pak në këtë karakter psikanalisti. "Roli është i vështirë, jo për faktin që kam dy dekada që nuk marr pjesë në teatër, por se është esenca e shpirtit njerëzor. Si mund t‘i shtrijmë dorën dikujt tjetër, atij që ka nevojë për ndihmë, atij që ishte i trishtuar, atij që ka mbetur i izoluar? Ai, një mjek psikanalist, i ndien të tjerët. Nuk i shikon si pacientë po si njerëz te të cilët duhet gjetur zanafilla, ajo ç‘ka mbetur njeri te këta të sëmurë. Vetëm kështu do të mund t‘i zgjojë, do të mund t‘u japë shpresë të jetojnë". Zhusti do të vazhdonte shumë gjatë të fliste për rolin që i është besuar. Duket se i ka munguar gjatë shkrirja deri në kufij të padukshëm i aktorit me personazhin. Pak ditë e ndajnë nga ngjitja në skenë. Do të ritakohet me një publik që e ka adhuruar para ‘90-ës e do të takohet me një tjetër të ri. Është gati-gati një përballje dashurie. "E pres me shumë emocion këtë lloj takimi. Janë ato emocione që do të ndienit ju në takimin e parë", thotë ai. Thirrjes së nostalgjisë nuk mund t‘i shmanget. Veçse regjisorët e teatrit të brezit të tij nuk janë më. "Ndiej shumë nostalgji. Por njëkohësisht shoh të punohet me të njëjtin ritëm e pasion në të gjashtë kolegët e kësaj komedie. Kjo do të thotë se aktori nuk e ndalon dot apo e shuan pasionin që ka brenda kur gjen një material të mirë". Veçse raportet kanë ndryshuar. Profesion-pasion-para, në ditët e sotme vështirë të gjejnë ekuilibrat. "Teatri sot jeton edhe në raportet e marketingut, tregut, fitimit. Shfaqjet kushtëzohen edhe nga kjo marrëdhënie. Vihen shfaqje me sa më pak personazhe, shfaqje që të shtojnë sa më shumë mundësinë dhe mjetet e jetesës së aktorëve. Është fatkeqësi e madhe që nga teatri dhe veçanërisht nga Teatri Kombëtar është hequr repertori i vlerësimit, është hequr "Shekspiri", "Molieri"...", tregon pas vëzhgimeve të para. Komedia do të jetë gati një provim për të, aktorin e njohur në një botë të re shqiptare. Ndërsa si njeri ai është ende i dyzuar mes Shqipërisë dhe Greqisë. Atje ka lënë familjen. "Greqia më ofron një kusht minimal jetese, por jeta ime, emocionet, aktiviteti, krijimtaria, janë këtu. Unë vërtet kam lindur atje, por u edukova, u formova si njeri dhe artist në Shqipëri. Ky vend është shumë për mua", thekson Zhusti. Mbetet i hapur për një tjetër shfaqje teatrore, por edhe një rol filmi. "Nëse do të kem rast dhe mundësi për ndonjë rol, jam i aftë të luaj". Për të asnjëherë nuk është vonë për të guxuar...