E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Debati për reformën duhet të marrë fund

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka lëshuar nga Korça mesazhe për shtensionimin e jetës politike në vend, pavarësisht debateve të hapura dhe të pashmangshme për reformën zgjedhore. Në vizionin e kreut të shtetit, debati politik duhet të marrë fund për t‘i lënë vend një reforme zgjedhore të qëndrueshme nëpërmjet bashkëpunimit dhe jo përçarjes. Bamir Topi ka deklaruar nga Korça se është i bindur se zgjedhjet e vitit 2009 do të jenë politikisht të drejta dhe korrekte, pa elementë kontestues. Sipas tij, as nga ndërkombëtarët nuk ka një stimul të vetëm të një krahu, por të kohezionit të forcave politike dhe unisonit për reformën zgjedhore. Deklaratat e tij, Presidenti i Republikës i ka bërë gjatë takimit të parë me kreun e Bashkisë së Korçës, Niko Peleshi, ku ka vlerësuar si shembull bashkëpunimin e kaheve politike, edhe pse Bashkia e Korçës drejtohet nga një i zgjedhur i forcës në opozitë. Presidenti e ka cilësuar Korçën një qytet model, që duhet të përsosë më tej shërbimet e veta ndaj komunitetit, jetës universitare, zhvillimin e infrastrukturës publike, ndërsa ka theksuar se ky qytet është model edhe për faktin se nuk është përfshirë nga kaosi në ndërtime. Ai tha se Korça është qytet me një zhvillim urbanistik konservues dhe jo kaotik, siç ndodh në rrethe të tjera. Sa i përket debatit politik të ditës, Presidenti tha në këtë takim se "dëshiroj të shpreh edhe atë vëmendje të madhe që kemi jo vetëm si institucion për shtensionimin e jetës politike në vend. Pavarësisht debateve që janë të pashmangshme, por janë të domosdoshme, ju po e shikoni çdo ditë e më shumë se ka një shtensionim të jetës politike në vend. Jeta politike ndahet për gjëra fine, siç është edhe reforma zgjedhore dhe ka ardhur koha që debati politik duhet të përfundojë dhe t‘i hapë rrugën nëpërmjet ligjeve, zgjedhjeve korrekte dhe të drejta". Po nga qytetit i Korçës, në një takim të zhvilluar me të zgjedhurit e këshillit bashkiak, Presidenti Topi ka dhënë mesazhin se decentralizimi i kompetencave nuk duhet të jetë thjesht një stimul, por detyrë e të zgjedhurve që përfaqësojnë komunitetin në nivel lokal. Më tej, Presidenti u ndal në çështjet e reformës në drejtësi. "Problemet në drejtësi nuk zgjidhen për një muaj dhe ato nuk kanë përfshirë vetëm politikën, por edhe komunitetin, që çështjet e gjyqësorit dhe vendimet që merren të mos jenë vetëm në interes të trupës së gjyqtarëve, por edhe të njerëzve. Gjykatat nuk shikohen me kredibilitetin e duhur. Kështu edhe këshillat bashkiakë duhet të jenë pjesëmarrës në debatin për drejtësinë, të evidentojnë problemet që ka drejtësia", tha Presidenti Topi. Kreu i shtetit u tha këshilltarëve të Bashkisë së Korçës se shumë shpejt do të ndërhyhet për të zgjidhur edhe çështjen e pronave shtetërore, që do të kalojnë në varësi të institucioneve lokale. Presidenti pati takim edhe me anëtarët e këshillit të qarkut, ndërsa në fund të vizitës ai bëri një vizitë në Universitetin e Korçës dhe në muzeun e artit mesjetar në këtë qytet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›