E Diel, 1 Nëntor 2026

OSBE thellon çarjen mes partive

Deklarata e fundit e ambasadorit të OSBE-së, Robert Bosch, u përkthye dje në forma të ndryshme prej aktorëve të politikës shqiptare. Si gjithmonë, secila palë, në debatin politik, ka gjetur një paragraf ku të kapet, për t‘i dhënë të drejtë pretendimit të saj. Përfaqësuesit e partive të vogla e interpretuan si një thirrje për realizimin e reformës sa më gjithëpërfshirëse. Sipas zëvendëskryetarit të LSI-së, Pëllumb Xhufi, ishte e qartë se ky proces nuk duhet të jetë ekskluzivitet i dy partive të mëdha. "Sistemi spanjoll proporcional rajonal është krejt i papërshtatshëm me vendin tonë, sepse e kantonizon Shqipërinë", vlerësoi Xhufi. Ai shtoi se është një sistem me një përmbajtje krejt të hapur kombëtare, përveçse një sistem që asgjëson votën e atyre që quhen të vogla, duke e devijuar atë në favor të partive të mëdha. LSI ju referua edhe deklaratës së para pak ditëve të bërë nga Presidenti Bamir Topi, që sipas saj është në një linjë me OSBE-në. Sakaq, partia më e madhe e opozitës u bëri thirrje forcave të vogla politike që të bëhen pjesë e diskutimeve për reformën zgjedhore. Sekretarja për marrëdhëniet ndërkombëtare në Partinë Socialiste, Arta Dade, falënderoi shefin e prezencës së OSBE-së, ambasadorin Bosch për vlerësimin që i bëri nismës së PS-së lidhur me reformën zgjedhore. "Ne jemi të vetëdijshëm për peshën që kemi në këtë proces reformues, si forca lider e të të gjithë progresit në vend", u shpreh ajo. PS-ja, sqaroi Dade, ka hedhur edhe do të hedhë hapa emancipues dhe reformues, duke kërkuar bashkëpunimin, dialogun dhe konsensusin me të gjitha forcat politike, por pa pranuar diktatin prej askujt. "Sistemi zgjedhor që ne propozojmë demokratizon zgjedhjet dhe garanton vullnetin e zgjedhësve", sqaroi Dade. Sipas saj ai nuk është shpikje e ndonjë partie, e bazuar mbi llogari meskine partiake, por një model i jetësuar me sukses në demokracitë e mëdha dhe të konsoliduara evropiane. Dade vlerësoi se partitë e vogla nuk kanë arsye që të grinden dhe as të bëjnë akuza dhe insinuata pa vend. Ne i ftojmë ata, tha Dade, që të bëhen pjesë e të gjitha proceseve. "Ne i ftojmë ata, që të mos sillen si të vegjël, por si të mëdhenj, dhe është momenti që askush nuk mund të ngrejë politikat e veta mbi interesat e Shqipërisë dhe të shqiptarëve", nënvizoi Dade. Sekretarja ndërkombëtare vlerësoi se Shqipëria dhe shqiptarët nuk mund të mbeten peng të asnjë partie. Ajo gjeti rastin që të ftojë partitë e vogla të marrin përgjegjësitë dhe të sillen si të mëdha. Duke moderuar gjuhën dhe të bëhen bashkëpunuese, pa kompromentuar këtë proces reformash në prag të Samitit të Bukureshtit. "Për të lënë mënjanë praktikat e vjetruara dhe duke u ngritur në sensin e momentit historik, si dhe duke adoptuar në respekt të etikës, që duhet të ketë politika", u shpreh Dade. Ajo këmbënguli në faktin se është e nevojshme që të vegjlit të lënë pas praktikat e vjetruara dhe politikat konfliktuale, që në këto 17 vjet përveçse e kanë mbajtur Shqipërinë në një qerthull të prapambetjes, nuk i kanë dhënë asgjë të mirë atyre, që ne pretendojmë të qeverisim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›