E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama: Reforma Shëndetësore do të aprovohet



Presidenti i SHBA-së Barak Obama ka shprehur besimin e tij të plotë se reforma e shëndetësisë do të arrijë që të aprovohet dhe të kalojë edhe provën e Kongresit.
Reforma e Shëndetësisë ka qenë një nga temat më të nxehta të vitit politik në SHBA. Paketa e propozuar e ligjeve për shëndetësinë pritet që të votohet këtë fundjavë në Kongresin Amerikan.
Partia Demokrate po përpiqet që të përfitojë nga çdo votë e vlefshme që mund të fitohet nga përfaqësuesit e dhomës së përfaqësuesve në Kongres. Por pritet që beteja e Obamës për të aprovuar këtë paketë ligjore të jetë një sfidë shumë e vështirë për tu kaluar. Presidenti Obama e shprehu bindjen e tij për aprovimin e kësaj reformë në një fjalim në shtetin e Ohios që shumë përkrahës të tij e cilësuan një fjalim tepër emocionues. Gjatë fjalës së tij Obama nuk harroi që të kritikonte edhe kompanitë e mëdha amerikane të sigurimeve, të cilat sipas presidentit Obama janë të favorizuar nga situata aktuale ligjore.
"Ne nuk mund të kemi një sistem shëndetësor që është më shumë efektiv për Industrinë e Sigurimeve sesa për popullin amerikan."- kritikoi presidenti Obama.
Gjatë fjalës së tij presidenti demokrat rrëfeu se një qytetare amerikane me emrin Natoma Canfield, e cila vuante nga sëmundja e kancerit, i kishte shkruar një letër. Në këtë letër Canfield e kishte inkurajuar presidentin amerikan në nismën e tij për të ndihmuar njerëzitë e pashpresë si ajo që nuk mund të përballojnë shpenzimet e mëdha të cilat lidhen me shumat e vogla që përfitohen nga sigurimet shëndetësore.
Por Obama nuk u mjaftua me këtë rast, ai gjithashtu dha një shembull nga jeta e tij personale.
"Nëna ime vdiq në vitin 1995 nga sëmundja e kancerit. Kujtoj me dhimbje 6 muajt e fundit të jetës së nënës sime të cilës i duhej që të zihej me punonjësit e sigurimeve shëndetësore për shumat e vogla që ata jepnin për buxhetin spitalor."- pohoi Obama.
Fundjava pritet që të finalizoj një përpjekje të madhe të Barak Obamës, një sfidë e cila në rast se realizohet do ta konsolidonte figurën e presidentit të parë amerikan me ngjyrë në sytë e Kongresit Amerikan.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›