E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama: SHBA, Afganistani, Pakistani, të vendosur kundër al-Kaedës

Presidenti Barak Obama thotë se Shtetet e Bashkuara, Afganistani dhe Pakistani i kanë armik të përbashkët al-Kaedën dhe aleatët e saj ekstremistë. Ai tha se të tre vendet janë të vendosur për ta shkatërruar dhe mposhtur këtë armik.

Presidenti Obama të mërkurën me Presidentin Karzai dhe me Presidentin Zardari
Zoti Obama u takua të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin afgan Hamid Karzai dhe me Presidentin pakistanez Asif Ali Zardari. Ai tha se bisedimet mes tyre ishin "jashtëzakonisht produktive" dhe vlerësoi lart bashkëpunimin mes Afganistanit dhe Pakistanit, të cilin e quajti "të paparë”.

Në komentet që bëri për gazetarët pas takimit, zoti Obama tha se mposhtja e ekstremistëve do të kërkojë rritje dhe zhvillim pozitiv në rajon si dhe përpjekje në aspektin ushtarak. Ai deklaroi se Shtetet e Bashkuara do të mbështesin zgjedhjet e ardhëshme kombëtare të Afganistanit si dhe do të ndihmojnë për ndërtimin e shkollave, rrugëve dhe spitaleve në Pakistan.

Presidenti Obama  tha se administrata e tij do të bëjë ç'është e mundur për të shmangur viktimat mes civilëve në luftën kundër terrorit në Afganistan. Ai tha gjithashtu se si zoti Karzai edhe zoti Zardari vlerësojnë plotësisht seriozitetin e kërcënimeve të terroristëve me të cilat përballen  të tre vendet. //ii

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›