“Ligji i lustracionit, i nevojshëm dhe i domosdoshëm për një demokraci të fortë”
Kryeministri Berisha dhe Ministri Alibeaj presin dhe marrin garanci nga Ministri për Zhvillim Rajonal të Çekisë Cyril Svoboda
TIRANE - “Ligji i lustracionit është i nevojshëm dhe i domosdoshëm për ta bërë demokracinë të fortë”.
Kështu u shpreh dje Ministri për Zhvillim Rajonal i Çekisë, Cyril Svoboda gjatë takimit me Kryeministrin Sali Berisha. Svoboda po zhvillon një vizitë në Tiranë. Zyra e shtypit pranë qeverisë bëri të ditur se mes Kryeministrit Berisha dhe ministrit Svoboda u diskutuan disa çështje, mes të cilave dhe ligji i lustracionit, i njohur ndryshe si ligji i dosjeve.
Ndërkohë, në takimin që Ministri për Zhvillimin Rajonal të Republikës Çeke, Cyril Svoboda pati me Ministrin shqiptarë të Drejtësisë Enkelejd Alibeaj, ai garantoi se zbatimi i ligjit të lustracionit nuk do të ketë pasoja negative në integrimin e Shqipërisë në BE.
Takim me Kryeministrin Sali Berisha
Kryeministri Berisha priti dje në një takim ministrin për Zhvillim Rajonal të Çekisë Cyril Svoboda. Kryeministri Berisha vlerësoi këtë vizitë si një tjetër shenjë e marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy qeverive dhe vendeve tona. Berisha i shprehu edhe një herë ministrit Svoboda mirënjohjen më të thellë të tij, të qeverisë shqiptare dhe të të gjithë shqiptarëve për kryeministrin Topolanek dhe qeverinë e Republikës Çeke për mbështetjen dhe përkrahjen e jashtëzakonshme, që i dhanë Shqipërisë për anëtarësimin në NATO dhe aplikimin për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kryeministri i cilësoi këto dy ngjarje si madhore e historike, duke vlerësuar lart kontributin e mikut të tij, Kryeministrit Topolanek, por edhe të Presidencës Çeke të Bashkimit Evropian dhe vendeve anëtare të BE-së, për realizimin me sukses të aplikimit për statusin e kandidatit.
Nga ana e tij, ministri Svoboda e uroi kryeministrin përzemërsisht për arritjet historike e madhështore të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe aplikimit për statusin e kandidatit për anëtarësim në BE. Ai shprehu vlerësimin e tij për prezantimin e shkëlqyer, që kryeministri u bëri reformave të Shqipërisë në takimin në Varshavë, duke nënvizuar faktin se ishin këto arritje të qeverisë shqiptare që bënë të mundur aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në BE.
Ndërkaq, një temë e diskutuar në takim ishte edhe ligji i lustracionit të figurave politike. Ministri Svoboda theksoi në këtë kontekst, se demokracitë duhet të tregohen të forta në mbrojtjen e vlerave të tyre dhe për këtë arsye ligji i lustracionit është i nevojshëm dhe i domosdoshëm për ta bërë demokracinë të fortë.
Më tej, biseda u përqendrua mbi zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kryeministri Berisha e i bëri me dije Ministrit Svoboda se qeveria ka ndërtuar infrastrukturën zgjedhore më moderne dhe është tërësisht e angazhuar të bëjë të gjitha përpjekjet për të zhvilluar zgjedhjet më të mira në Shqipëri, që plotësojnë standardet ndërkombëtare për zgjedhje të lira e të ndershme.
Takimi me Ministrin Enkelejd Alibeaj
Ministrin për Zhvillimin Rajonal të Republikës Çeke, Cyril Svoboda, gjatë një takimi të zhvilluar dje me ministrin er Drejtësisë Enkelejd Alibeaj, garantoi se zbatimi i ligjit të lustracionit nuk do të ketë pasoja negative në integrimin e Shqipërisë në BE.
Pasi përgëzoi vendin tonë për ecurinë e deritanishme dhe hyrjen në NATO si dhe duke deklaruar mbështetjen e plotë të vendit të tij për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, ministri Svoboda inkurajoi në mënyrë të veçantë ministrin Alibeaj për zbatimin e ligjit të lustracionit. Ai u shpreh se vendi i tij i ka mirëpritur ndryshimet në ligjin për pastrimin e figurave politike dhe se zbatimi i këtij ligji nuk do të ndikojë negativisht në procesin e integrimit të vendit.
“Unë besoj se vendi juaj do të ecë përpara me reformat dhe është shumë e rëndësishme që ligji i lustracionit të kalojë provën e tij në Gjykatën Kushtetuese. Sipas eksperiencës sonë ky ligj nuk ndëshkon, por ky ligj parandalon administratën të bie pre e shantazheve. Për të funksionuar demokracia është shumë e rëndësishme që çdo person të jetë i lirë që askush të mos i drejtoj askujt gishtin për ato që ka bërë në të shkuarën”, tha ministri çek Svoboda duke inkurajuar ministrin Alibeaj për të mos u tërhequr nga zërat kritikë që mund të ketë.
“Në fund të fundit ky ligj është i domosdoshëm për Shqipërinë ashtu siç ishte edhe për vendin tonë ku edhe pas rishikimit nga komisioni i Venecias më në fund të gjithë ranë dakord për rëndësinë e tij”, deklaroi më tej ministri Svoboda.
Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj u shpreh entuziast për zbatimin e këtij ligji.
“Kësaj iniciative sa politike po aq edhe ligjore do t’i shkohet deri në fund së pari për arsye dinjiteti. Është në dinjitetin e shoqërisë sonë, e cila pretendon të bëhet pjesë e demokracisë evropiane që të mos hyjnë në BE me hipokrizi duke mohuar çfarë ka ndodhur për 50 vjet. Jemi munduar që me këtë ligj të jemi të matur, të frenuar dhe jo hakmarrës, të arrijmë një ndërthurje mes statusit aktual të garancive kushtetuese me atë të kufizim të të drejtave që ajo memorie historike duhet të sjellë”, tha Alibeaj në fjalën e tij.