Me 28 qershor 2009 do përsëritet triumfi që demokratët regjistruan me 22 mars
Lëvizja e lirë e të gjithë shqiptarëve si dhe integrimi i vendit në BE janë aspiratat që do përmbushen në mandatin e dytë të mazhorancës së Sali Berishës.
TIRANE - Kryeministri Sali Berisha në kuadër të turit “Shqipëria po ndryshon”, u ndal dje në komunën Thumanë, në Krujë, ku inauguroi shkollën e mesme të përgjithshme, investim i buxhetit të shtetit, që bëri të mundur ndërtimin e shkolle të standardeve më të mira, me kabinete informatike dhe me të gjitha cilësitë e një shkolle moderne.
Gjatë takimit të jashtëzakonshëm me banorët e komunës Thumanë, kreu i qeverisë Berisha bëri një rezyme të përgjithshme të të gjitha arritjeve të qeverisë që drejton, brenda një mandati katër vjeçar. Berisha tha se me punën dhe ritmin e pandalshëm të qeverisë, për të ndërtuar vendin, qytetarët shqiptarë do të ripërsërisin edhe njëherë ‘92-shin, fitoren më të thellë, që shqiptarët i votëbesuan Partisë Demokratike.
“Ne ia dalim. Ne e mbajmë fjalën tonë. Ne bëjmë një luftë të madhe kundër abuzimeve, kundër korrupsionit. Aty është miniera e të gjithave parave të kësaj qeverie. Unë ju garantoj se 4 vitet që vijnë të gjitha shkollat e Shqipërisë do të jenë të reja apo të rindërtuara, çdo familje do të ketë ujë të pijshëm, pensionet e fermerëve do të barazohen me pensionet e qytetit, sepse ata e meritojnë plotësisht. Pra, le të vazhdojmë së bashku më 28 qershor, të ripërsërisim edhe një herë ’92-in, fitoren më të thellë, t’i rikthehemi ’92-it, sepse në vitin ’92 të gjithë së bashku brohorisnim ‘Shqipëria në NATO’ dhe ne realizuam të ëndrrën tonë, të përsërisim sërish ’92-in për të integruar Shqipërinë në BE, për të lëvizur ju të lirë, në mbarë Evropën”, u shpreh Berisha.
Kryeministri theksoi se këto janë javët e fundit të një mandati, në të cilin qeveria ka vërtetuar se interesat e qytetarëve kanë qenë përparësia më madhore e saj.
“Në 4 vite, ne kemi bërë përpjekje të jashtëzakonshme për të mbrojtur dhe për të plotësuar interesat tuaja. A nuk ishte interesi juaj dyfishimi i pensionit në fshat; a nuk ishte interesi juaj dyfishimi i pagave të mësuesve; a nuk ishte interesi juaj dyfishimi i pagave të infermierëve; a nuk ishte interesi juaj rritja e pensioneve në qytet 48 deri më 70 për qind. Ky është interesi i çdo shqiptari të ndershëm që do të shohë vendin të zhvillohet. Por ky nuk është interesi i një grupi të vogël njerëzish, të cilët një muaj më parë, paçka se për veten e tyre firmosin në bordero mbi 1.5 milion lekë në muaj pagë shtetërore, i kërkonin qeverisë të mos rriste pagat e pensionet, kërcënonin me krizën. Më thoni në është alternativë kjo. Jo, kjo është nihilizëm, është zili. Interesi juaj, të dashur qytetarë, është që ne të integrohemi në BE, që ne të marrim statusin e kandidatit, që ju të lëvizni të lirë, pa viza në mbarë Evropën. Por ky nuk është interesi i atyre, të cilët udhëhiqen vetëm nga karrigia e tyre. A nuk ishin ata, drejtues të opozitës, që bënin thirrje të mos aplikonim për statusin e kandidatit”, u shpreh kreu i qeverisë.
Duke iu referuar anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, Berisha tha se përpos 94 për qind të shqiptarëve që mbështesnin integrimin, ekzistonte një klikë e vogël të cilët, ditën e marrjes së ftesës të frustruar nga mediat e tyre organizonin tubime në Tiranë me portretet e diktatorit Enver Hoxha, se ftesa nuk do të merret.
Berisha: Opozita dhe mediat e saj tentuan më kot të denigrojnë figurën e Heroit tonë Kombëtar, Skënderbeut
TIRANE - Kryeministri Berisha bëri dje përgjegjës përfaqësuesit e opozitës dhe mediat e kontrolluara prej tyre, si aktorët që po përpiqen të denigrojnë figurën e heroit tonë kombëtarë Skënderbe.
Duke theksuar rëndësinë e integrimit të vendit në NATO, Berisha shtoi se, kundër këtij integrimi ishin ata, të cilët përdornin mediat e tyre për të zhvlerësuar, për të denigruar legjendën e qëndresës sonë, Skënderbeun. “Po ato media, po ata persona që shpikën trillimin me orën e George W. Bush, do të hapeshin me titujt denigrues kundër heroit tonë kombëtar, qenies, identitetit, thelbit të vokacionit tonë perëndimor, Skënderbeut. Më lejoni të shtrojmë së bashku pyetjen, a mund të pranohet si alternativë mohimi, a mund të pranohet si alternativë denigrimi i Skënderbeut, a mund të pranohet si alternativë mitingu për të protestuar për NATO-n, a mund të pranohet për alternativë kërkesa për të mos rritur pagat e pensionet, a mund të pranohet për alternativë kërkesa për të mos aplikuar për statusin e kandidatit në BE. Jo dhe jo”, deklaroi Berisha.
“Në Krujë janë ndërtuar 7 shkolla të reja, bashkia e Tiranës ka ndërtuar vetëm 3 të tilla”
TIRANE - Kryeministri Berisha u shpreh më tej dje se vetëm në rrethin e Krujës, në 4 vitet e qeverisë demokratike, janë ndërtuar 7 shkolla të reja, ndërkohë që nga ana tjetë, bashkia e Tiranës ka ndërtuar gjithsej vetëm 3 shkolla të reja, për arsye se Rama nuk mund të gllabërojë dot 20 përqindëshin apo të qenurit pronar në një kat. “Pyesni sa janë ndërtuar në kryeqytetin e vendit prej 700 mijë banorësh? Janë ndërtuar gjithsej 3 shkolla të reja, sepse shkollat nuk japin dot 20 përqindëshin apo një kat gjobë”.
Berisha vijoi se “kudo që shkoj kam para një listë të investimeve lokale. Këtu, më informojnë se në 8 vitet që shkuan të qeverisjes socialiste, në këtë komunë janë investuar gjithsej 13 milion lekë, kurse ne kemi investuar 335 milion lekë. Kemi asfaltuar rrugën autostradë-fshati Dukagjin i ri me vlerë 23 milion lekë, ndërtimin e shkollës së mesme në Thumanë me 50 milion lekë, ndërtimin e ujësjellësit në Thumanë me 47 milion lekë, rikonstruksionin e qendrave shëndetësore në fshatrat Dukagjin, Kodër Derven, Sukth dhe Borizanë me vlerë rreth 10 milion lekë, rruga autostradë-Kodër Derven, me trotuare, me vlerë 16 milion lekë, sistemim asfaltim autostradë-Qendër Gramëz me vlerë 18 milion lekë dhe së shpejti tenderojmë rrugën Fushë Krujë-Milot me një shumë prej rreth 40 milion lekë për rindërtimin e saj. Nuk ka pasur asnjë kilometër rrugë të asfaltuar dhe tani janë asfaltuar 12 kilometra rrugë. Jam këtu për t’ju dhënë fjalën e nderit se në mandatin e dytë nuk do të ketë metër linear rrugë të paasfaltuar në këtë fshat dhe në mbarë rrethin e Krujës”, deklaroi ndër të tjera kryeministri Berisha.